HomePolitikë

36-vjetori i Partisë Demokratike Shqiptare –PDSH

Shkruan : Ragmi Mustafa, kryetar Nga Themelimi i PDSH-së 5 gusht 1990 gjer 23 gusht 2026 Më 5 gusht 1990, në kohën e fillimit të pluralizmit

Ja çka u punua dhe cilat punë po realizohen në Malësi të Bujanocit
Sa peshojnë tre deputetë shqiptarë në Parlamentin e Serbisë?!
Fakulteti ekonomik i hapur për studentët e ardhshëm

Shkruan : Ragmi Mustafa, kryetar

Nga Themelimi i PDSH-së 5 gusht 1990 gjer 23 gusht 2026

Më 5 gusht 1990, në kohën e fillimit të pluralizmit politik në ish-Jugosllavi, u hodhën themelet e organizimit politik shqiptar në Preshevë me themelimin e Shoqatës së Pavarur Demokratike – SHPD. Ky organizim, që në përmbajtjen e Statutit kishte karakteristikat e një partie politike, përfaqësonte një hap të guximshëm politik të shqiptarëve të Preshevës në një kohë kur ende nuk dihej nëse autoritetet serbe dhe jugosllave do të pranonin regjistrimin e partive politike shqiptare.

Më pas, më 23 gusht, SHPD u shndërrua dhe u regjistrua si Partia Demokratike Shqiptare – PDSH, duke u bërë partia e parë politike shqiptare e regjistruar në këtë hapësirë në fillimet e pluralizmit politik për Preshevë, Medvegjë e Bujanoc.

 

Kryetar i parë i saj ishte profesori i Biologjisë, zoti Ali Ahmeti, ndërsa në vitin 1992, detyrën e kryetarit e mori gjithashtu profesori i Biologjisë, zoti Zeqirja Fazliu, tashmë i ndjerë. Nga viti 2003 e deri më sot, PDSH drejtohet nga inxhinieri i diplomuar i Elektroteknikës e njëkohësisht Prof. Dr. Ragmi Mustafa, profesor në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan.

 

PDSH dhe Referendumi i 1 dhe 2 marsit 1992

 

Një nga kapitujt më të rëndësishëm në historinë politike të PDSH-së është organizimi dhe bartësja politike e Referendumit të 1 dhe 2 marsit 1992, për autonomi politike e territoriale të shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, me të drejtë ribashkimi me Kosovën në rast të shpërbërjes së Jugosllavisë së atëhershme.

Ky referendum mbetet një akt politik dhe historik i një rëndësie të veçantë për shqiptarët e Luginës së Preshevës. Verdikti i tij vazhdon të ruhet me shumë entuziazëm e fanatizëm nga PDSH si një pjesë e pandashme e veprimtarisë dhe trashëgimisë së saj politike.

 

PDSH gjatë periudhës në luftën së UÇPMB-së

 

Gjatë viteve 2001–2002, në kohën e luftës së Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë e Bujanoc – UÇPMB, PDSH ishte në mbështetje të plotë politike të këtij formacioni ushtarak e njëkohësisht të kërkesave të shqiptarëve dhe përpjekjeve të tyre për zgjidhjen e problemeve të akumuluara për më shumë se një shekull në autoktoninë e tyre. PDSH mori pjesë aktive në proceset e dialogut politik mes UÇPMB-së dhe autoriteteve qeveritare të qeverisë serbe me ndërmjetësimin ndërkombëtar që çuan drejt Marrëveshjes së Konçulit. Ndërmjetësimin ndërkombëtar e përfaqësonin Piter Fejdi ish kryeadministrator i Kosovës dhe Shon Saliveni, duke synuar përfundimin e luftës-konfliktit të armatosur dhe zgjidhjen paqësore të problemeve që preknin shqiptarët në fushën e arsimit, kulturës, informimit, gjuhës dhe shkrimit shqip, përdorimit të simboleve kombëtare, zhvillimit përmbajtësor ekonomik dhe çështjeve të tjera jetike për shqiptarët në Luginë të Preshevës. Edhe sot e kësaj dite, shumë prej këtyre çështjeve mbetën të pazgjidhura plotësisht!

 

PDSH në drejtimin e Komunës së Preshevës

 

Një kapitull tjetër i rëndësishëm fillon në vitin 2004, kur PDSH mori drejtimin e Kuvendit Komunal të Preshevës, ndërsa në vitin 2005 mori edhe drejtimin fuqiplotë të Komunës së Preshevës, duke e udhëhequr kryetari i saj gjer në vitin 2016. Gjithsesi, edhe më pas saj kohë pas kohe duke bashkëqeverisur Pushtetin Lokal Preshevë me parti tjera politike shqiptare gjer ditën e sotme.

Gjatë kësaj periudhe, në një kohë kur në komunë u krijuan mundësi të rëndësishme financimi edhe përmes fondeve të bashkësisë ndërkombëtare sepse ishte periudhë kohore e pasluftës, PDSH realizoi investime të mëdha në infrastrukturë dhe zhvillim lokal. U ndërtuan dhe u asfaltuan rrugë që lidhën vendbanimet e komunës Preshevë, përfshirë edhe vendbanime të largëta nga qendra urbane. U zgjeruan dhe u ndërtuan sisteme të kanalizimeve atmosferike dhe fekale në qytet dhe në vendbanimet rurale. U përforcua rrjeti elektroenergjetik përmes ndërtimit të linjave të reja dhe të gjata të furnizimit me energji elektrike, si dhe u ndërtuan transformatorë elektroenergjetikë 10/0.4 kV për furnizim me energji elektrike.

Në të gjitha vendbanimet u zgjerua edhe rrjeti i ndriçimit publik.

 

Në fushën e arsimit dhe mirëqenies së fëmijëve, gjatë kësaj periudhe u ndërtuan dhe u përmirësuan shkolla, çerdhe fëmijësh dhe salla të edukatës fizike, duke krijuar kushte më të mira për nxënësit e arsimit fillor dhe të mesëm. Por, mjerisht jo edhe tekste e planprograme adekuate shkollore!

Kjo periudhë mbetet një nga etapat më të rëndësishme të qeverisjes lokale të PDSH-së në Preshevë sa i përket zhvillimit të infrastrukturës në interes të qytetarëve.

Lufta politike për të drejtat kombëtare

Por, historia e PDSH-së nuk mund të matet vetëm me rezultatet e qeverisjes lokale dhe të investimeve infrastrukturore.

Në rrafshin kombëtar, PDSH ka vazhduar të kërkojë zgjidhjen e çështjeve themelore të shqiptarëve të Luginës së Preshevës: përdorimin institucional të simboleve kombëtare, sigurimin e teksteve mësimore në gjuhën shqipe për arsimin fillor dhe të mesëm, mundësinë e shkollimit universitar në gjuhën shqipe dhe njohjen e diplomave universitare të fituara në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Kosovës për të rinjtë e Luginës së Preshevës.

PDSH ka qenë dhe mbetet e qartë në qëndrimin e saj politik për Republikën e Kosovës, të cilën e ka njohur publikisht si shtet të pavarur dhe demokratik që nga dita e shpalljes së pavarësisë së saj më 17 shkurt 2008. Partia Demokratike Shqiptare, përmes kryetarit të saj Prof. Dr. Ragmi Mustafa ka qenë pjesë aktive e takimeve numerike me përfaqësues politik, institucione dhe organizma ndërkombëtar në vend dhe botë që nga viti 2003 e gjer sot, për të lobuar në zgjidhjen e problemeve kruciale të shqiptarëve në Luginë të Preshevës. Në të gjitha këto takime me kujdesin maksimal janë eksploruar problemet e shqiptarëve që akoma janë në pritje për zgjidhje gjithëmonë bazuar në standardet dhe konventat ndërkombëtare mbi pakicat kombëtare e minoritete. Pjasë dërmuese e këtyre takimeve kanë ndodhur bashkërisht me homolog të tjerë politik shqipar që veprojnë në Luginë të Preshevës. Natyrisht se qëndrimi i PDSH-së në çdo rast ka qenë mbështetja në vlerat e referendumit të 1 e 2 marsit dhe vlerave të luftës së UÇPMB-së vitin 2001 e 2002. Që nga viti 2013 e gjer sot janë zhvilluar jo më pakë se shtatë herë takime në institucionet më të larta të SHBA-ve si në Kongres, Senat, State Departament dhe OKB. Pjesa më e madhe e këtyre vizitave në SHBA ka qenë bashkë me përfaqësues institucional politik shqiptar nga Presheva e Bujanoci. Në lidhje me këto vizita nuk mund të anashkalohet kontributi i Ligës qytetare Shqiptaro-Amerikane që drejtojnë çifti bashkëshortor ish kongresisti e veprimtari i kombit shqiptar zoti Joseph John DioGuardi dhe zonja Shirley Cloyes Dioguardi me vendbanim në New York e të cilt meritojnë një falënderim shumë të madh.

Përveç këtyre takimeve janë edhe ato të zhvilluara në Këshillin e Europës dhe Parlamentin Europian si në Bruksel dhe Strasburg. Një emrues i përbashkët i gjitha këtyre takimeve si në vend me ndërkombëtar dhe në botë ruhen stenogramet e bisedave dhe kërkesava tona në arhivat e tyre. Nga kjo presim që një ditë ndërkombëtarëve t’u soset durimi dhe të detyrojnë serbinë që t’ua njohë në plotni kërkesat e shqiptarëve në Luginë të Preshevës ngjajshëm si ndërhyrja ndërkombëtare në krye me SHBA vitin 1999 në Kosovë, duke uruar që kjo ndërhyrje të jet politike dhe e detyrueshme për serbinë në njohjen e popullit shqiptar autokton në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc me të drejtat e tyre fuqiplote. Kjo, nga fakti se ndaj shqiptarëve autokton në Luginë të Preshevës po ndodhë spastrimi etnik mbi baza nacionale dhe lirisht mund të paraqitet si gjenocid i heshtur në kuptimin e dëbimit të shqiptarëve të pa mbrojtur nga tokat e tyre stërgjyshore.

Bashkëpunimin në rrafshin politik vendor e rajonal

PDSH gjat gjith kohës e ka zhvilluar me partitë politike shqiptare në Preshevë e Bujanoc me ato që ka gjetur gjuhë të përbashkët dhe përafërsisht kanë qenë në vijë programore por edhe partitë politike shqiptare në Republikën e Shqipërisë, Republikën e Kosovës, të Maqedonisë së Veriut dhe në Mal të Zi.

 

Kuvendi i Këshilltarëve Shqiptarë dhe Platforma Politike

 

Një tjetër kontribut i rëndësishëm politik i PDSH-së ishte iniciativa për formimin dhe funksionalizimin e Kuvendit të Këshilltarëve Shqiptarë të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, i themeluar më 16 janar 2006.

Ky Kuvend miratoi Platformën Politike, në të cilën në mënyrë të hollësishme u përcaktuan problemet dhe kërkesat politike të shqiptarëve në Serbi, të mbështetura në parimet demokratike dhe standardet e konventat ndërkombëtare mbi pakicat kombëtare. Në kuadër të këtij organizimi, në vitin 2015, u miratua edhe ideja dhe akti për Asociacionin e Komunave Shqiptare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit.

Autoritetet serbe nuk e njohën këtë Asociacion, ashtu siç nuk e kanë njohur në vazhdimësi as Kuvendin e Këshilltarëve Shqiptarë të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit.

 

36 vite mbijetesë dhe qëndrueshmëri politike

 

Sot, pas 36 vitesh, PDSH vazhdon të jetë pjesë e pandashme e historisë politike të shqiptarëve të Luginës së Preshevës si parti politike e qendrës së djathtë.

Përballë sfidave të shumta, përfshirë zvogëlimin e numrit të shqiptarëve, shpërnguljen e të rinjve, presionet politike dhe qasjet e vazhdueshme të Beogradit zyrtar ndaj çështjes shqiptare, PDSH ka mbijetuar dhe vazhdon të qëndrojë.

PDSH nuk do të shmanget nga programi i saj politik. Ajo do të vazhdojë të kërkojë zgjidhjen e problemeve të shqiptarëve me mjete politike, demokratike, institucionale dhe në përputhje me standardet dhe konventat ndërkombëtare. PDSH nuk kërkon më shumë për shqiptarët e Luginës së Preshevës se sa që Serbia kërkon për komunitetin serb në veri të Republikës së Kosovës: të drejta politike, institucionale, ekonomike, kulturore dhe zhvillimore, të garantuara dhe të zbatueshme në praktikë.

Nëse Serbia nuk është e gatshme të pranojë as këtë parim të barazisë dhe reciprocitetit, atëherë PDSH do të vazhdojë të qëndrojë fuqishëm në kërkesën për respektimin e vullnetit politik të shprehur nga populli shqiptar në Referendumin e 1 dhe 2 marsit 1992, amanetin e dëshmorëve të kombit të rënë në luftën e UÇPMB-së, si dhe të qëndrimit të shprehur në Platformën Politike të miratuar nga Kuvendi i Këshilltarëve Shqiptarë në vitin 2006, përfshirë edhe aspiratën për ribashkim me Republikën e Kosovës.

 

Të bashkuar drejt së ardhmes

 

36-vjetori i PDSH-së nuk është vetëm përvjetor i një partie politike.

Është përvjetor i një rrugëtimi politik shqiptar, i një përpjekjeje të pandërprerë për liri politike, barazi, demokraci, zhvillim dhe dinjitet kombëtar. Është kujtesë për të gjithë ata që themeluan, drejtuan dhe mbështetën PDSH-në ndër vite. Është nderim për veprimtarët që nuk janë më në mesin tonë, veçanërisht për ish-kryetarin Zeqirja Fazliu, dhe për të gjithë ata që dhanë kontributin e tyre në këtë rrugëtim.

 

Por, mbi të gjitha, është një thirrje për të ardhmen.

 

PDSH i fton të gjithë shqiptarët e Luginës së Preshevës, pavarësisht dallimeve politike, që të bashkohen rreth interesave tona të përbashkëta, rreth të drejtave tona legjitime dhe rreth një vizioni të përbashkët për të ardhmen e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.

 

Pas 36 vitesh, rrugëtimi politik vazhdon.

 

PDSH do të vazhdojë të veprojë politikisht dhe demokratikisht, me vendosmëri,

përgjegjësi dhe besim në vullnetin e popullit.

 

Gëzuar 36-vjetorin, Partia Demokratike Shqiptare!

 

Gëzuar BASHKË përvjetorin e 36-të të PDSH-së!

 

Për Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin

 

Për të drejtat e shqiptarëve

 

Për demokracinë dhe të ardhmen tonë.

 

PDSH – 36 vite rrugëtim politik, qëndresë dhe vizion.

Prof. Dr. Ragmi Mustafa, kryetar

COMMENTS