Me rastin e shënimit të 25-vjetorit të themelimit të Trupit Koordinues të Qeverisë së Republikës së Serbisë për komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medv

Me rastin e shënimit të 25-vjetorit të themelimit të Trupit Koordinues të Qeverisë së Republikës së Serbisë për komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, ky institucion i ka ndarë një mirënjohje Aleksandar Vulinit, për, siç u tha, “kontributin e tij të vazhdueshëm, angazhimin afatgjatë dhe përkushtimin ndaj zhvillimit të këtyre komunave”.
Sipas njoftimit zyrtar, Vulin ka dhënë kontribut në zhvillimin e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës gjatë ushtrimit të disa funksioneve të larta shtetërore, përfshirë atë të drejtorit të Zyrës për Kosovë e Metohi, ministër i Punës, Punësimit, Çështjeve Sociale dhe Veteranëve, ministër i Mbrojtjes dhe ministër i Punëve të Brendshme. Në këto role, thuhet se ai ka zbatuar politika të orientuara drejt forcimit të sigurisë, stabilitetit social dhe zhvillimit të barabartë rajonal.
Mirëpo, ky veprim ka nxitur reagime të ashpra në opinionin shqiptar të Luginës së Preshevës. Deputeti në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka reaguar ashpër ndaj dhënies së kësaj mirënjohjeje, duke e cilësuar aktin si politikisht dhe moralisht të papranueshëm.
Sipas Kamberit, Aleksandar Vulin ka qenë për vite me radhë pjesë e politikave që, sipas tij, kanë prodhuar gjuhë fyese ndaj shqiptarëve, promovimin e koncepteve ideologjike si “srpski svet”, pasivizimin masiv të adresave dhe fshirjen administrative të shqiptarëve, si dhe mohimin e të drejtës për kujtesë historike. Ai thekson se këto qëndrime dhe veprime bien ndesh me përvojën reale të shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.
Kamberi shton se dhënia e mirënjohjes për Vulinin përbën vazhdimësi të relativizimit të diskriminimit dhe albanofobisë, si dhe fyerje të dinjitetit të shqiptarëve në këto komuna. Ai e lidh këtë akt edhe me deklarata të fundit të drejtuesve të Trupit Koordinues, të cilat, sipas tij, synojnë rishikimin e historisë dhe nxitjen e tensioneve ndëretnike.
Në reagimin e tij, deputeti Kamberi thekson se zëri i shqiptarëve të Luginës së Preshevës do të vazhdojë të dëgjohet “qartë, me dinjitet dhe pa kompromis me të vërtetën”, duke shtuar se, sipas tij, dekoratat dhe mirënjohjet e tilla nuk mund ta fshehin realitetin dhe përvojën e përjetuar nga qytetarët shqiptarë në këto komuna.
Reagimi i Kamberit :
Është detyrë politike dhe morale të reagojmë lidhur me dhënien e “zahvalnicës”, nga ana e Trupit kordinues, Aleksandar Vulinit, një fashisti të përbetuar antishqiptar për “kontribut në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë”.
Ky akt nuk duhet të kalojë pa reagim, sepse bie ndesh me përvojën reale të shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe me faktet e dokumentuara ndër vite, me Vulinin dhe politikbërjen e tij.
Aleksandar Vulin, në funksionet e tij të shumta shtetërore, ka qenë pjesë e një politike militante, antishqiptare, antiperëndimore që, nuk ka prodhuar brazi por:
– gjuhë pezhorative dhe fyese ndaj shqiptarëve (Šiptari, Arbanasi);
– promovimin e konceptit ideologjik të rrezikshëm “srpski svet”;
– pasivizimin masiv të adresave dhe fshirjen administrative të qytetarëve shqiptarë;
– mohimin e së drejtës për kujtesë historike, përfshirë ndalimin e ndërtimit të Kullës së Komandant Lleshit;
– si dhe orientim politik e ideologjik fashist, larg vlerave evropiane dhe standardeve demokratike.
Këto nuk janë interpretime subjektive, por realitete të përjetuara nga qytetarët që përfaqësoj dhe të reflektuara edhe në raportet e institucioneve ndërkombëtare, në radh të parë të SHBA, që e kanë futur në listën e zezë, për “bashkëpunim me krimin e organizuar”.
Në këtë kontekst, dhënia e një mirënjohjeje për Aleksandar Vulinin nga struktura shtetërore për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë përbën vazhdimësi të politikës së relativizimit të diskriminimit, albanofobisë dhe fyerje të dinjitetit të shqiptarëve të këtyre komunave.
Ky akt, bashkë me deklarimin e kryetarit të Trupit Koordinues para disa ditëve se “UÇPMB ishte organizatë terroriste” është pjesë e politikës së revidimit të historisë duke shpallur çlirimtarët terrorist, ndërkohë që kriminelët e dënuar në Tribunalin e Hagës i shpall heronj, politikës që mohon krimet e luftës dhe gjenocidin e kryer në emër të një politike të njëjtë që promovon Vulin.
Politikës që glorifikon kriminelët e dënuar. Që bën grafitet dhe murale të kriminelëve të dënuar për krime lufte. Politika që prodhon Vulin jo vetëm që normalizojnë krimin dhe dhunën si vlera, por edhe po e shndërrojnë kriminelin në “hero kombëtar”, duke i dhënë legjitimitet ideologjisë së spastrimit etnik dhe gjenocidit.
Akti i tretë i Trupit koordinues ka mbetur që edhe Sllobodan Millosheviqi të shpallet “hero i demokracisë” dhe të “drejtave të njeriut e pakicave” dhe revidimi do të kryhet përfundimisht.
Por, e vërteta nuk bëhet me dekorata të rrejshme, e vërteta përbëhet nga faktet e pamohueshme se Vulin dhe bashkëmendimtartët e tij, ishin kreator të politikës së zhdukjes së shqiptarëve e të tjerëve në Ballkan për të ndërtuar një shtet të madh serb.
Mjerisht për Vulinin dhe bashkëmendimtarët e tij, politika që personifikon ai dhe lideri i tij po merr goditje politike nga të gjitha anët, sikurse brenda ashtu edhe jashtë.
Të vetëdijshëm për këtë krizë politike ata po mundohen që, përmes provokimeve të këtilla, të nxisin tensione ndëretnike dhe probleme në komunat siç është Bujanoci e Presheva.
Akterët e politkës së këtillë, që tani më edhe nga vet SHBA (ligji NDAA) u cilësuan si antidemokrat duhet të marrin kundërpërgjigjen e merituar edhe nga shqiptarët e Luginës.
Zëri i shqiptarëve të Luginës së Preshevës do të vazhdojë të dëgjohet qartë, me dinjitet dhe pa kompromis me të vërtetën.
Dekoratat e Vulinit dhe të ngajshëve nuk do të mund ta ndalin këtë zë.
COMMENTS