Politikat publike për rimëkëmbjen ekonomike të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës duhen të rimendohen
Politikat publike për rimëkëmbjen ekonomike të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës duhen të rimendohen në prioritetizime, duke vërë në plan të parë investimet për krijimin e vendeve të reja të punës. Ky ishte përfundim i përgjithshëm i diskutimeve në tribunën ‘Rimëkëmbja ekonomike në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë’, të organizuar në Bujanoc nga Këshilli për të Drejtat e Njeriut.
“Ndoshta duhen analizuar efektet e politikës së deritanishme të subvencionimit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme që nuk ka përmbushur plotësisht synimet për punësime të reja brenda një afati dhjetëvjeçar, aq më tepër duke pasur parasysh rënien e interesimit që po shpërfaqet me faktin se këtë vit kanë mbetur të pashfrytëzuara rreth 16 milionë dinarë”, ka thënë në cilësinë e panelistit Sali Salihu, ish-Shef i kabinetit të kryetarit të Bujanocit dhe anëtar i Komisionit vlerësues për ndarjen e granteve nga Trupi Koordinues i Qeverisë së Republikës së Serbisë për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Si prioritet strategjik për rimëkëmbjen dhe zhvillimin ekonomik autoritetet publike kanë identifikuar rimëkëmbjen e kompanive që kanë qenë lidere në zhvillimin e tri komunave me mbështetje për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, sipërmarrësit dhe kooperativat; si dhe tërheqjen e investimeve për këto tri komuna. Që nga viti 2013, Trupi Koordinues i Qeverisë së Republikës së Serbisë për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë ka filluar mbështetjen për kompanitë prodhuese që po zgjerojnë aktivitetet e tyre në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Në pesë vitet e fundit, Trupi Koordinues ka shpërndarë 184 milionë dinarë për dhjetëra kompani vendore që pretendojnë se po rriten dhe po shtojnë numrin e të punësuarëve.
Megjithatë, komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës janë ende në grupin IV zhvillimor të rajoneve dhe njësive të vetëqeverisjes lokale, që është niveli më i ulët i zhvillimit të komunave në Serbi me nën 50% të mesatares në nivel shtetëror; shkalla e papunësisë mbetet e lartë dhe nuk pasqyrohet vetëm nëpërmjet të dhënave zyrtare të institucioneve përgjegjëse. Presheva, Bujanoci dhe Medvegja janë po ashtu ndër komunat që kanë në mënyrë konstante pagë mesatare më të ulët në Serbi.
Nga ana e tij, panelisti tjetër, Blerim Mehmeti nga Zyra për zhvillim ekonomik lokal në Preshevë, ngriti çështjen e procesit të privatizimit në Preshevë. ‘Edhe ai privatizim që është realizuar nuk ka rezultuar mjaftueshëm i suksesshëm, ngase shumë punëtorë kanë mbetur të papunë nga mosrespektimi i kontrateve’, ka thënë ai.
Në komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës një pjesë jo e vogël e ndërmarrjeve shoqërore nuk janë privatizuar ende. Disa prej vitesh janë në fazën e privatizimit, të tjera punojnë me një numër simbolik punëtorësh dhe disa janë në falimentim të plotë.
Dikutuesit potencuan problemet e tjera aktuale që po rëndojnë mirëqenien socio-ekonomike, veçanërisht mungesën e investitorëve që do të gjeneronin punësim dhe zhvillim ekonomik.
Tribuna ‘Rimëkëmbja ekonomike në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë’ ‘është organizuar në kuadër të projektit “Serbia e jugut – Sundimi i ligjit për të gjithë”, të cilin po e implementon Këshilli për të Drejtat e Njeriut me mbështetjen e The Rockefeller Brothers Fund.
COMMENTS