(foto ilustrim: vs. rs) Burime të FOLonline bëjnë me dije se të dielën pasdite në zonën e fshatit Zarbicë, në malesinë e Bujanocit, ka qenë pre

(foto ilustrim: vs. rs)
Burime të FOLonline bëjnë me dije se të dielën pasdite në zonën e fshatit Zarbicë, në malesinë e Bujanocit, ka qenë prezent një grup prej rreth 10 gjuetarësh nga komuna e Bujanocit.
Sipas burimeve tona, gjuetarët tradicionalisht shkojnë për gjueti të dielave dhe ishin të pajisur me leje adekuate për gjah dhe posedim të armëve.
Gjatë qëndrimit në zonë, ata janë takuar me katër pjesëtarë të Ushtrisë së Serbisë. Pas takimit, të dy grupet kanë ngrënë dhe pirë bashkë, një shoqëri që, siç bëjnë të ditur burimet, nuk ishte hera e parë që ndodhte.
Pas përfundimit të takimit, secili grup është orientuar në drejtimin e vet: ushtarët në patrullim dhe gjuetarët në kërkim të derrave të egër.
Gjuetarët kanë qëlluar në drejtim të kafshëve, duke shkrepur armët, dhe për këtë janë dëgjuar të shtëna.
Ushtria ka raportuar rastin e të shtënave tek eprorët e tyre dhe ka nisur hetimet.
Rreth zonës janë gjetur 17 gëzhoja plumbash, ndërsa policia ka marrë në pyetje gjuetarët që kanë qenë të pranishëm atë ditë. Armet e gjuetarëve janë dërguar në ekspertizë balistike.
Në mesin e gjuetarëve kishte edhe policë të stacionit policor të Bujanocit.
Siç merret vesh, në hetime është përfshirë edhe policinë ushtarake dhe ekspertë balistikë.
Në versionin e parë të deklaratave, ushtarët kishin mohuar takimin me gjuetarët, ndërsa gjuetarët e kanë konfirmuar takimin dhe ndejën e përbashkët.
Deri tani, Ushtria e Serbisë nuk ka dhënë një deklaratë zyrtare për ngjarjen.
Ndërkohë, disa media serbe e kanë raportuar incidentin si një “sulm ndaj ushtrisë” nga shqiptarët, duke pretenduar se sulmuesit kanë ikur drejt Kosovës me gjashtë xhipa.
Autoritetet kosovare kanë mohuar se ka pasur ndonjë incident në territorin e tyre dhe kanë deklaruar se nuk kanë dëgjuar të shtëna.
COMMENTS