Është mbajtur sot takimi i Këshillit të palëve të interesuara të Fakultetit Ekonomik të Suboticës, dega në Bujanoc. Të pranishëm ishin përfaqës

Është mbajtur sot takimi i Këshillit të palëve të interesuara të Fakultetit Ekonomik të Suboticës, dega në Bujanoc.
Të pranishëm ishin përfaqësues të OSBE-së, BE-së, Trupit Koordinues, KKSH-së, Komunës së Bujanocit, stafit akademik, etj.
Kryetari i Komunës së Bujanocit Arbër Pajaziti e ka prezantuar fjalimin e tij përmes Facebookut:

Të nderuar të pranishëm,
Është kënaqësi e veçantë për mua që sot gjendem këtu, në Fakultetin Ekonomik në Bujanoc, një institucion që prej vitesh përfaqëson një prej pikave më të rëndësishme të zhvillimit arsimor dhe profesional në komunën tonë. Ky fakultet është shembull i përkushtimit, i punës serioze dhe i bashkëpunimit të qendrueshëm mes palëve të shumta që kanë besuar se Bujanoci e meriton dhe e ka nevojë për një qendër të arsimit të lartë me standarde moderne.
Gjatë këtyre viteve ky institucion ka nxjerrë kuadro të reja që sot kontribuojnë në administratë, në sektorin privat, në organizata, në biznese dhe në fusha të ndryshme ku shihen rezultatet e punës së tyre. Kjo është meritë e drejtuesve të fakultetit, e stafit akademik, si dhe e mbështetjes së partnerëve ndërkombëtarë e institucionalë që sot i kemi të pranishëm.
Roli i secilës palë të interesuar ka qenë vendimtar. Asnjë projekt afatgjatë nuk mund të përparojë pa bashkërendim, dialog dhe gatishmëri për të investuar në të ardhmen. Prandaj dua t’i falënderoj të gjithë për angazhimin dhe korrektësinë në këtë proces.
Sa i përket komunës, dua të jem krejtësisht i sinqertë. Ne do të kishim shumë dëshirë të merrnim pjesë më drejtpërdrejt në mbështetjen e mbarëvajtjes së këtij institucioni, sepse e dimë rëndësinë e tij për të rinjtë tanë dhe për zhvillimin e komunës. Megjithatë, kufizimet financiare me të cilat përballemi shpesh nuk na lejojnë të përmbushim të gjitha angazhimet që do të donim. Kjo nuk nënkupton mungesë vullneti, por realitet të cilin po mundohemi ta ndryshojmë hap pas hapi, duke kërkuar zgjidhje të qëndrueshme dhe duke bashkëpunuar me partnerë që ndajnë të njëjtin vizion.
Në të ardhmen shoh një nevojë të qartë që në këtë fakultet të angazhohet sa më shumë staf lokal i specializuar, profesorë dhe ekspertë që e njohin komunitetin, tregun, sfidat dhe potencialin e kësaj treve. Kjo do ta forconte edhe më shumë institucionin, duke e lidhur më ngushtë me ekonominë lokale dhe me kapacitetet e zhvillimit rajonal.
Po ashtu shpresoj fuqishëm që fakulteti të mund të hapë drejtime të reja studimi, të cilat janë në harmoni me zhvillimet globale dhe me kërkesat e reja të tregut të punës. Bujanoci ka të rinj të talentuar, me ambicie dhe ide moderne, dhe unë besoj se institucionet e arsimit të lartë duhet t’i ndjekin këto zhvillime dhe t’u japin mundësi të gjithëve që të ndërtojnë karrierën këtu, në vendin e tyre.
Ju falënderoj të gjithëve për bashkëpunimin, përkrahjen dhe besimin. Ne mbetemi të përkushtuar që Bujanoci të jetë një qendër e dijes, e mundësive dhe e progresit për secilin të ri të kësaj komune.
Ju faleminderit për vëmendjen dhe ju uroj suksese në punën tuaj të mëtejshme.

COMMENTS