HomePolitikë

Salihi: Rezoluta për pozitën e shqiptarëve futet tinëzisht në rend dite

Sekretari organizativ i Partisë për Veprim Demokratik (PVD), Rahim Salihi, ka reaguar ashpër ndaj mënyrës se si shumica parlamentare në Kuvendin

Fejton: Një tregim serbo-shqiptar: Seanca e tetë e Komitetit Qendror të LKS-së: Lindja e liderit (pjesa 5)
Aksident i lehtë komunikacioni në Tërnoc
Musliu takohet me rektorin Kosumi

Sekretari organizativ i Partisë për Veprim Demokratik (PVD), Rahim Salihi, ka reaguar ashpër ndaj mënyrës se si shumica parlamentare në Kuvendin e Serbisë trajtoi çështjen e “Rezolutës për pozitën e shqiptarëve të Luginës së Preshevës”.

Në reagimin e tij, Salihi e cilësoi veprimin e shumicës si “akt perfid dhe tinëzar”, duke theksuar se kjo është dëshmia më e qartë e mungesës së vullnetit politik për përmirësimin e pozitës së shqiptarëve në këtë rajon.

Ai bëri të ditur se, megjithëse në rendin e ditës të sesionit vjeshtor të Kuvendit të Serbisë, që filloi sot, nuk ishte paraparë diskutimi për propozimet e deputetëve shqiptarë dhe boshnjakë, kryesuesja e seancës, Marina Raguš, hodhi për votim rezolutën për shqiptarët e Luginës në momentin kur mungonin në sallë deputeti Shaip Kamberi (për shkak të një rasti vdekjeje në familje) dhe deputetët boshnjakë të SDA-së së Sanxhakut.

Sipas Salihit, ky veprim është një inskenim i qëllimshëm dhe i planifikuar politikisht, që tregon nivelin e ulët të kulturës parlamentare dhe synimin për të minuar çdo përpjekje për barazi dhe drejtësi ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Ai kritikoi edhe reagimin e ushtruesit të detyrës së drejtorit të Trupit Koordinues, Nenad Mitrović, i cili, në vend që të angazhohej për mbështetje të rezolutës, zgjodhi të ironizojë me iniciativën politike të shqiptarëve.

“Ky episod i turpshëm nuk është vetëm një incident parlamentar, por simbol i një politike të vjetër të mohimit dhe diskriminimit sistematik ndaj shqiptarëve të këtij rajoni,” theksoi Salihi.

Në fund të reagimit të tij, sekretari organizativ i PVD-së ritheksoi se shqiptarët e Luginës nuk kërkojnë privilegje, por barazi dhe dinjitet, duke paralajmëruar se beteja politike për realizimin e të drejtave kolektive do të vazhdojë.

“Pavarësisht skenarëve të tyre, rezoluta do të ridërgohet në parlament sërish dhe sërish. Nga Plani 7 pikësh nuk do të lëvizim. Të drejtat tona do t’i gëzojmë — por atë ditë, ata do të jenë të harruar politikisht,” përfundon reagimi i Rahim Salihit.

 

COMMENTS