Qendra Shëndetësore e Vranjës ka njoftuar se ka zgjeruar ndjeshëm ekipin e saj mjekësor, njoftojnë mediat serbe, transmeton FOLonline. Konkreti

Qendra Shëndetësore e Vranjës ka njoftuar se ka zgjeruar ndjeshëm ekipin e saj mjekësor, njoftojnë mediat serbe, transmeton FOLonline.
Konkretisht, në marrëdhënie të përhershme pune janë pranuar:
- 14 mjekë të përgjithshëm
- 1 specialist i mjekësisë emergjente
- 18 infermierë dhe teknikë mjekësorë
Më poshtë njoftimi i publikuar në tërësi:“
Pranimi i këtyre mjekëve dhe infermierëve me kontratë të pacaktuar është një hap kyç drejt forcimit të ekipit tonë dhe garantimit të një niveli të lartë të kujdesit shëndetësor për qytetarët e Vranjës dhe rrethinës.
Ky është dëshmi e përkushtimit tonë të vazhdueshëm për të investuar në kuadro të rinj e profesionalë, të cilët kanë dëshmuar dije dhe përgjegjësi, ndërsa marrëdhënia e qëndrueshme e punës u siguron stabilitet dhe i inkurajon për zhvillim të mëtejshëm profesional.
Ndër të rinjtë e pranuar janë edhe një infermiere dhe një teknik mjekësor nga diaspora, gjë që ne e konsiderojmë një arritje të madhe. Kthimi i tyre është një tregues i qartë se investimet në sistemin shëndetësor dhe krijimi i kushteve më të favorshme të punës po japin rezultate, dhe se të rinjtë tanë po e shohin të ardhmen profesionale pikërisht këtu.
Shprehim mirënjohje të thellë ndaj Qeverisë së Republikës së Serbisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë për mirëkuptimin dhe mbështetjen, me ç’rast është mundësuar ky forcim i rëndësishëm profesional. Kjo është dëshmi se shteti qëndron fuqishëm pas institucionit tonë shëndetësor dhe se shëndeti i qytetarëve të Vranjës dhe të rajonit të Pçinjës mbetet prioritet absolut.”
Burimet e FOLonline bëjnë të ditur se në mesin e të punësuarve nuk ka asnjë shqiptar.
Qendra Shëndetësore në Vranjë kryen shërbime për pacientë nga i gjithë Rrethi i Pçinjës, ku bëjnë pjesë edhe Bujanoci e Presheva.
Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, shqiptarët përbëjnë më tepër se 1/4 e numrit të përgjithshëm të banorëve.
COMMENTS