Gjatë ditës së sotme shumë qytetarë kanë raportuar për pritje të gjata në kalimet kufitare me Serbinë. Fillimisht u raportua për pritje me orë
Gjatë ditës së sotme shumë qytetarë kanë raportuar për pritje të gjata në kalimet kufitare me Serbinë.
Fillimisht u raportua për pritje me orë të tëra për kalimin e kufirit midis Kroacisë dhe Serbisë, ndërsa gjatë ditës e njejta gjë u pasqyrua edhe për kalimin kufitar në Konçul.
Lidhur me këtë dukuri kanë reaguar deputeti, Shaip Kamberi, zv/kryetari i Bujanocit, Shqiprim Musliu dhe kryetari i APN-së në Bujanoc, Arbër Pajaziti.
Në vazhdim reagimet e tyre:
Shaip Kamberi:
Mirë se vini në të ‘90-at
Serbia fillon me masa represioni ndaj shqiptarëve, menjëherë pasi që Parlamenti Evrpian, ka rekomanduar anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës.
Këto masa represive që po ndërmerren ndaj civilëve shqiptarë të Luginës së Preshevës, në vendkalimin kufitar “Dheu i Bardhë”, vijnë menjëherë pas vendimit të djeshëm të Parlamentit Evropian dhe kërcënimeve të para disa ditëve të presidentit serb Vuçiq për “procesimin e gjithë atyre që cënojnë rendin kushtetues”.
Të rinjë shqiptarë nga Bujanoci, po ndalohen sot, në pikën kufitare te “Dheu i Bardhë” duke u mbajtur me orë dhe vonuar në këtë pikëkalim.
Kjo masë represive ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës, po ndërmerret, krahas masave të njëjta që po ndërmerren ndaj shiptarëve të Kosovës nëpër pikëkalimet kufitare serbe, sidomos, në kufirin me Kroacinë.
Serbia, sot, po e shkelë brutalisht Marrëveshjen për tabelat e regjistrimit dhe po e cënon rëndë të drejtën fundamentale të njeriut “qarkullimin e lirë”.
Këto masa po ndërmerren si masa retorzive pas hapit të rëndësishëm të Republikës së Kosovës për anëtarësim në KE.
Ndalesat nëpër kufij, patrullat policore dhe retorika e shfrenuar antishqiptare që po aplikohen ditët e fundit janë përsëritje e masave të agresionit të Serbisë ndaj shqiptarëve.
Bashkimi Evropian dhe institucionet tjera ndërkombëtare duhet të dalin me reagim të fuqishëm ndaj represionit që po e ushtron shteti “pretendent për BE”.
Shqiprim Musliu:
Në pikat kufitare të hyrjes në Serbi nga mbrëmë pas miratimit të aplikimit për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës është shfaqur një problem me lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe makinave me targa nga Kosova të cilët po pengohen dhe nuk po lejohen të hyjnë në Serbi. Kjo po vjen si reagim pasi Serbia nuk po njeh mekanizëm për destabilizim dhe kërkon të shtrijë skenarët rus në rajon.
Ftojmë qytetarët të kenë kujdesë gjatë udhëtimit të tyre ndërsa reagojmë fuqishëm dhe kërkojmë nga palët përgjegjëse si policia dhe organet tjera që të ndalojnë këtë lloj pengese dhe të zbatojnë marrëveshjet për lëvizje të lirë.
Arvër Pajaziti:
Të garantohet lëvizja e lirë
Autoritetet serbe janë duke zbatuar sot një regjim të paparë ndaj shqiptarëve nëpër vendkalimet kufitare me Serbinë.
Pritjet në hyrje-dalje me këtë shtet, me orë të tëra, nuk kanë asnjë shpjegim tjetër përveç se të qëllimta dhe tendencioze.
Nga kjo ndërmarrësi çoroditëse nuk po kursehen as shqiptarët nga Lugina të cilët sidomos në kufirin e Konçulit, pa kurfarë arsyetime, po detyrohen të presin nga 3-4 orë.
Për të tejkaluar kjo situatë duhet reagim urgjent i BE-së si garantuese e marrëveshjes për lëvizjen e lirë të qytetarëve.
Lëvizja e lirë e qytetarëve është e drejtë themelore e secilit individ, pa marrë parasysh përkatësinë e tij etnike, dhe si e tillë duhet rrepektuar në plotni.
COMMENTS