Transparenca e qyteteve dhe komunave në Serbi është rritur paksa në vitin 2022 krahasuar me vitin paraprak, por mesatarja është ende e u
Transparenca e qyteteve dhe komunave në Serbi është rritur paksa në vitin 2022 krahasuar me vitin paraprak, por mesatarja është ende e ulët.
„Qeverisjet lokale më transparente janë Novi Pazari, Sombori dhe Sokobanja“, tregojnë rezultatet e anketës së sivjetme të Indeksit të Transparencës Lokale (LTI 2022) të kryer nga Transparency Serbia, të mbështetur nga USAIDI, shkruan FOLonline.
Rezultati mesatar i 145 komunave për vitin 2022 është 49 (nga maksimumi 100), që është ende një rezultat i dobët, por pak më i mirë se një vit më parë dhe nëntë pikë më i mirë se në vitin 2015, kur anketa u krye për të parën herë.
Rezultati me mbi 70 pikë është shënuar në 11 komuna dhe qytete, ndërsa katër kanë arritur më shumë se 80 pikë.
Novi Pazari, i cili vitin e kaluar ishte i katërti, tani është në krye të tabelës me 87 pikë. Sombori është sërish në vendin e dytë, me 85, ndërsa Sokobanja është përmirësuar me dy pozita dhe është në vendin e tretë me 84 pikë.
Sukses të madh shënoi Tutini, i cili nga pozita e 93-të doli në të katërtën.
Në krye të listës janë edhe Kanjizha, Uzhice, Veliko Gradishte, Vranja, Leskovci, Vrnjaçka Banja dhe Subotica.
Në fund të listës këtë vit, me më pak se 30 pikë janë Bujanoci, Kniqi, Kovaçica, Seçani, Koceljeva dhe Presheva.
Përfundimi kryesor i hulumtimit është se nevojiten përpjekje të konsiderueshme dhe të vazhdueshme për të përmirësuar dhe ruajtur transparencën në komuna. Për të arritur dhe ruajtur këtë, është e nevojshme të miratohen procedura të qarta që do të përshkruajnë saktësisht se çfarë duhet të publikojnë të gjitha komunat dhe kush është përgjegjës për të, dhe më e rëndësishmja – këto procedura duhet të zbatohen.
USAID-i ka mbështetur disa komuna që të nxjerrin akte që përshkruajnë këto procedura, duke demonstruar gatishmëri për të qenë më të përgjegjshëm ndaj qytetarëve.
Gjithashtu duhet përmendur se 25 komuna dhe qytete që kanë shfrytëzuar mbështetjen e Projektit të USAID-it për Qeverisje Përgjegjëse – GAI në vitet e fundit kanë arritur një rezultat mesatar dukshëm më të mirë se komunat tjera (56:45).
Kjo tregon se edhe hulumtimi i LTI-së dhe publikimi i rregullt i rezultateve, së bashku me punën me pushtetin lokal për zbatimin e reformave, ndihmojnë në rritjen e transparencës.
Në anketë për hulumtim të transparencës (LTI) ishin të përfshira 79 kategori që i përkasin kompetencave të komunave.
Indeksi për komunën e Bujanocit:
https://www.transparentnost.org.rs/LTI2022/opstine/Bujanovac.html
Indeksi për komunën e Preshevës:
https://www.transparentnost.org.rs/LTI2022/opstine/Presevo.html
COMMENTS