Vështrimi i redaktorit: Parafushata zgjedhore për Bujanocin? Ky është një vit zgjedhor. Qytetarët e komunës së Bujanocit, këtë pranverë, do t’i
Vështrimi i redaktorit: Parafushata zgjedhore për Bujanocin?
Ky është një vit zgjedhor. Qytetarët e komunës së Bujanocit, këtë pranverë, do t’i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur përbërjen e re të Kuvendit Komunal e cila do të krijojë qeverisjen e re për të udhëhequr me pushtetin lokal në katër vitet e ardhshme.
S’do mend se subjektet politike që tani fillojnë me një paramobilizim me qëllim të verifikimit të besnikshmërisë së anëtarësisë dhe grupeve tjera të interesit.
Kjo formë është e njohur ngase ka për qëllim senzibilizimin e hierarkive partiake të niveleve të ulëta të cilat janë përcaktuese në rezultatet zgjedhore.
Përveç se në suaza të përgatitjeve në raport me subjektet rivale, parafushatat përdoren edhe për aktivitetet lobuese për vet partitë.
Caktimi i kandidatëve për këshilltarë por edhe të atyre që synojnë postet më të larta, burimin e kanë te bashkëbisedimet e këtilla të cilat realizohen shumë kohë para fushatës zgjedhore.
Madje, në të shumtën e rasteve, vetëm se nxirren në dritë personalitete të cilat i favorizojnë krerët e subjekteve ndërsa votimet për kandidatura më pas paraqesin vetëm formalitete.
Ditëve të fundit, në komunën e Bujanocit, janë zhvilluar disa aktivitete të cilave i vie aroma e parafushtës zgjedhore.
Partia për Veprim Demokratik-PVD kishte mbledhur në Tërrnoc nëndegën e saj me pjesëmarrjen e vet liderit dhe kryetarit të degës.
Si arsyetim të takimit, PVD kishte emëruar falenderimin për kontributin për zgjedhjet parlamentare dhe fitimin e një mandati në parlament.
Por, ky subjekt kishte paralajmëruar se takime të ngjashme do të organizojë edhe në nëndegët tjera.
Një seri e tillë takimesh le të kuptohet se PVD që tani është në parafushatë.
Ndërkohë, në fundjavë ishte aktivizuar edhe Partia Demokratike-PD.
Lideri i saj kishte grumbulluar disa personalitete të cilat i përkasin gjeneratave më të vjetra, për të cilat u tha se shumica vetëm gëzojnë pensionin.
Këtë aktivitet PD e kishte emëruar si falenderim dhe mirënjohje ndaj kontribuesve në sfera të ndryshme por edhe diskutim për të ardhmen.
Në zhargonin e parafushatës, ky tubim quhet bashkëbisedim me grupet e interesit.
Për PD-në, një takim me këtë shtresë të shoqërisë mund të shihet si dobiprurës në raport me dilemat e kreut partiak nëse edhe njëherë do të synojë kandidaturën për kryetar komune.
Ditëve dhe javëve në vazhdim takimet e këtilla të subjekteve politike me siguri se do të shtohen.
„Matjet e pulsit „ do të jenë evidente, jo vetëm me anëtarësinë por edhe me njerëzit e zakonshëm.
COMMENTS