Kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, ka reaguar lidhur me gjendjen dhe funksionimin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, duke theksuar se ka

Kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, ka reaguar lidhur me gjendjen dhe funksionimin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, duke theksuar se katër vitet e fundit duhet të shërbejnë si mësim serioz për të gjithë faktorët politikë dhe institucionalë shqiptarë në Luginë.
Sipas tij, gjatë mandatit të kaluar, KKSH-ja jo vetëm që humbi projekte dhe mjete të rëndësishme materiale, por në shumë raste e dobësoi pozitën institucionale dhe kombëtare të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Pajaziti kritikoi faktin se energjia e institucionit shpesh është harxhuar në përplasje politike dhe tema jashtë mandatit të Këshillit, në vend që fokusi të jetë në arsim, kulturë, informim dhe përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe.
Ai potencoi se, bazuar në rezultatet e fundit të regjistrimit të popullsisë, shqiptarëve në Luginë u takojnë 29 përfaqësues në përbërjen e re të KKSH-së, por shtoi se rikthimi i Kuvendit të KKSH-së në 29 këshilltarë nuk mund të bëhet me automatizëm dhe kërkon angazhim serioz institucional.
Pajaziti shprehu shqetësimin se, për shkak të neglizhencës dhe mungesës së angazhimit serioz në shumë sfera, ekziston rreziku që edhe kjo mundësi historike të dëmtohet apo të humbet.
Në fund, ai apeloi që zgjedhjet e ardhshme për KKSH-në të mos shihen si garë individësh apo interesash të ngushta politike, por si përgjegjësi kombëtare për sigurimin e një përfaqësimi të denjë dhe të fuqishëm të shqiptarëve në Luginë.
COMMENTS