Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ka vlerësuar avancimin e Aktit për Vlerësimin e Diskriminimit në Luginën e Preshevës në Komisionin për Punë
Sipas saj, autoritetet e Serbisë kanë ushtruar shkelje të vazhdueshme të të drejtave të pakicave, përfshirë pasivizimin administrativ të adresave, kufizimin e përdorimit të gjuhës shqipe, përjashtimin nga institucionet publike, diskriminimin në arsim, margjinalizimin ekonomik dhe presionin institucional ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Osmani ka theksuar se avancimi i këtij akti ligjor dërgon një mesazh të qartë se shkeljet e të drejtave të njeriut nuk mbeten pa vëmendje në arenën ndërkombëtare. Ajo ka përshëndetur mbështetjen dypartiake në Kongresin amerikan dhe ka vlerësuar rolin e përfaqësuesve që kontribuuan në procedimin e aktit në komision.
Presidentja e Kosovës ka shprehur mirënjohje për angazhimin e përfaqësuesve amerikanë që iniciuan dhe mbështetën këtë nismë ligjore, si dhe për organizatat e diasporës shqiptare që, sipas saj, kanë ndihmuar në sensibilizimin e politikëbërësve amerikanë lidhur me gjendjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

COMMENTS