HomePolitikë

Një vit qeverisje – PD dhe PVD kritikojnë pushtetin e Bujanocit

  Ka kaluar një vit nga ndërrimi i pushtetit në Komunën e Bujanocit. Një vit i cili, sipas opozitës , ka shënuar regres të dukshëm në çdo

Kryediplomatët Cakaj dhe Haradinaj-Stublla kërkojnë reagim ndërkombëtar
Arifi takon drejtoreshën, Kambo
Ka ndërruar jetë Isuf Salihu- Cufa

 

Ka kaluar një vit nga ndërrimi i pushtetit në Komunën e Bujanocit. Një vit i cili, sipas opozitës , ka shënuar regres të dukshëm në çdo aspekt të qeverisjes.

Partia Demokratike dhe Partia për Veprim Demokratik kanë vlerësuar me tone të ashpra punën e qeverisjes aktuale, duke e konsideruar si më të dobëtën në dy dekadat e fundit.

PD: “Ky pushtet nuk i shërben qytetarëve ”

Në një kumtesë të lëshuar sot, Partia Demokratike ka deklaruar se qeverisja aktuale ka dështuar të mbrojë interesat e qytetarëve, e veçanërisht të shqiptarëve. Sipas PD-së, pushteti i ri ka zgjedhur që në ditën e parë të orientohet drejt Beogradit, duke ndërprerë çdo komunikim me Republikën e Kosovës dhe Shqipërinë.

“Qëndrimi kundër protestave të shqiptarëve për të drejtat legjitime dhe përputhshmëria e deklarimeve me partinë shtet flet shumë për orientimin e këtij pushteti,” thuhet në kumtesën e PD-së.

Partia Demokratike përmend “mungesën e projekteve, kaosin në financa, menaxhimin joprofesional dhe emërimet e paligjshme në drejtori publike”.

“Dhjetëra vendbanime shqiptare nuk kanë parë asnjë investim. Mungojnë projektet për arsim, kulturë, infrastrukturë dhe studentët janë injoruar plotësisht,” theksohet në komunikatë.

Rahim Salihi: “Një vit legalizim i dorëzimit të pushtetit”

Sekretari i përgjithshëm i PVD-së, Rahim Salihi, ka qenë edhe më i drejtpërdrejtë në deklaratën e tij, duke e cilësuar këtë vit si vitin e “heshtjes dhe pajtimit pa kushte me partinë shtet”.

“Kaluan plot 363 ditë që kur me Bujanocin udhëheqin të tjerët. Nga 23 këshilltarë të shumicës, janë vetëm 8 shqiptarë. Ndryshoi vetëm struktura etnike e të punësuarve, jo gjendja e shqiptarëve,” deklaron Salihi.

Ai ka theksuar se bashkëpunimi me SNS-in nuk solli asnjë përfitim real për shqiptarët, as në punësim, as në investime. Përkundrazi, ai përmend një sërë aktesh diskriminuese dhe simbolike që tregojnë përkeqësim të bashkëjetesës, përfshirë:

  • Ngjyrosjen e mbishkrimeve shqip që i uronin mirëseardhje diasporës;
  • Shkatërrimin e bilbordit të Komandant Lleshit;
  • Shtrembërimin e emrit të Bujanocit në pllakën metalike të sheshit.

“Në Bujanoc nuk qeverisin më vlerat e bashkëjetesës, por interesat e ngushta multietnike,” ka deklaruar ai.

Kritika për financat, nepotizmin dhe papërgjegjësinë

Të dy partitë opozitare janë të njëzëshme në kritikat për menaxhimin financiar, duke përmendur rishqyrtimet e shpeshta të buxhetit, bllokimin e Barnatores së qytetit dhe mosfunksionimin e ndërmarrjeve publike. Po ashtu, punësimi selektiv, mungesa e projekteve për rininë dhe ndihma për bujqësinë janë përmendur si dështime të rënda.

“Komuna e Bujanocit u shndërrua në djep të nepotizmit. U punësuan familjarë të elitës politike, ndërsa mbetën jashtë ata që me të vërtetë besuan në ndryshim,” tha Salihi.

“Qeverisja më e dëmshme në 20 vitet e fundit”

PD dhe PVD e konsiderojnë këtë pushtet ” si të papërgjegjshëm, të padijshëm dhe të paaftë për t’u përballur me sfidat e qytetit. Sipas tyre, as pas një viti nuk ka përmirësime të ndjeshme në asnjë fushë”.

“Bujanoci duhet të ndryshojë rrënjësisht. Duhet t’u kthehet qytetarëve të vet. Koha nuk do t’i fal ata që heshtin përballë padrejtësisë,” thuhet në fund të deklaratës së Salihit.

 

COMMENTS