HomeNë fokus

Në Medvegjë u ndanë kontratat për subvencionimin e subjekteve ekonomike

Shërbimi i Trupit Koordinues të Qeverisë së Republikës së Serbisë për komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë organizoi në Medvegjë ceremoninë e nd

Vazhdojnë dënimet për vendosjen e flamurit kombëtar, në shënjestër APN
Sinani n’Ulqin, takon kryetarin e kêsaj komune
Këshilli Komunal aprovoi buxhetin për vitin 2022

Shërbimi i Trupit Koordinues të Qeverisë së Republikës së Serbisë për komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë organizoi në Medvegjë ceremoninë e ndarjes së kontratave për subjektet ekonomike që fituan të drejtën për subvencione në kuadër të Thirrjes Publike për vitin 2026.

Për herë të parë që nga fillimi i Programit të Subvencioneve në vitin 2012, ceremonia e ndarjes së kontratave u organizua në komunën e Medvegjës, me synimin që të tre komunat – Presheva, Bujanoci dhe Medvegja – të përfshihen në mënyrë të barabartë në aktivitetet dhe programet e Trupit Koordinues.

Në ceremoni mori pjesë edhe zëvendëskryetari i Komunës së Medvegjës, Rade Peroviq, i cili përshëndeti realizimin e programit dhe theksoi rëndësinë e këtyre masave për zhvillimin e ekonomisë lokale, forcimin e sipërmarrjes dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

Thirrja publike u shpall më 3 qershor 2026, ndërsa për zbatimin e saj u ndanë 24.428.000 dinarë për bashkëfinancimin e blerjes së pajisjeve dhe makinerive të reja për ndërmarrësit, si dhe për ndërmarrjet mikro dhe të vogla me potencial zhvillimi dhe punësimi.

Në konkurs u paraqitën gjithsej 14 aplikime – gjashtë nga Presheva, shtatë nga Bujanoci dhe një nga Medvegja. Pas procesit të vlerësimit, të drejtën për subvencion e fituan 10 subjekte ekonomike, por njëri prej tyre hoqi dorë nga nënshkrimi i kontratës. Si rezultat, kontratat iu ndanë nëntë përfituesve, me një vlerë të përgjithshme prej 23.948.192 dinarësh.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Shërbimit të Trupit Koordinues, Nenad Mitroviq, deklaroi se institucioni tash e 14 vjet mbështet zhvillimin e sektorit privat, me synim rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë, nxitjen e investimeve dhe hapjen e vendeve të reja të punës.

Ai falënderoi gjithashtu zëvendëskryetarin e Komunës së Medvegjës për bashkëpunimin në organizimin e ceremonisë, duke theksuar se bashkëpunimi i mirë ndërinstitucional është i rëndësishëm për realizimin e programeve zhvillimore.

Nga viti 2012 deri në vitin 2025, përmes këtij programi janë ndarë 210 subvencione për subjekte ekonomike në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, me një vlerë totale prej 508.006.903,62 dinarësh. Me ndarjen e nëntë kontratave të reja, numri i përgjithshëm i përfituesve është rritur në 219, ndërsa vlera totale e mjeteve të pakthyeshme të ndara ka arritur në 531.955.095,62 dinarë.

Shërbimi i Trupit Koordinues njoftoi se edhe në periudhën e ardhshme do të vazhdojë zbatimin e masave për mbështetjen e zhvillimit ekonomik në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, me synim përmirësimin e klimës së biznesit, rritjen e konkurrueshmërisë dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

COMMENTS