Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë ka përshëndetur paraqitjen në Kongresin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës të projektligjit

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë ka përshëndetur paraqitjen në Kongresin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës të projektligjit “Preshevo Valley Discrimination Assessment Bill”, i cili kërkon që Departamenti Amerikan i Shtetit të raportojë mbi trajtimin e pakicave etnike nga Serbia, me fokus të veçantë te shqiptarët në Luginën e Preshevës.
Sipas MPJ-së, ky projektligj përfaqëson një njohje të rëndësishme institucionale ndërkombëtare të problematikave serioze me të cilat përballen shqiptarët në Luginë, në veçanti çështjen e pasivizimit të adresave, e cila ka ndikuar drejtpërdrejt në të drejtat civile dhe politike të kësaj pakice.
Ministria thekson se nisma e Kongresit amerikan shënon një hap domethënës në trajtimin serioz të këtyre çështjeve në nivel ndërkombëtar, duke i dhënë zë shqetësimeve të kahershme të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Në deklaratë shprehet gjithashtu mirënjohja për angazhimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndërsa kjo nismë vlerësohet si një sinjal i fortë në mbështetje të të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe një kontribut i rëndësishëm për forcimin e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.
MPJ e Shqipërisë nënvizon se do të vijojë të mbetet e angazhuar në ndjekjen dhe monitorimin e situatës së të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, si dhe në bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë për adresimin e këtyre çështjeve.
COMMENTS