Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka zhvilluar sot në Tiranë një takim me drejtuesit e institucioneve dhe të zg

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka zhvilluar sot në Tiranë një takim me drejtuesit e institucioneve dhe të zgjedhurit shqiptarë në Luginën e Preshevës.
Në takim morën pjesë deputeti në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, dhe kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani.
Sipas Hoxhës, takimi ishte i drejtpërdrejtë dhe përmbajtësor, ndërsa në fokus ishin çështjet që kërkojnë bashkërendim të vazhdueshëm, përfshirë mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve, ruajtjen e identitetit kombëtar dhe forcimin e përfaqësimit të tyre në jetën politike dhe institucionale të Serbisë.
Në takim u diskutua gjithashtu për arsimimin, zhvillimin ekonomik, mundësitë për të rinjtë dhe nevojat konkrete të qytetarëve të Luginës së Preshevës.
“Të drejtat e shqiptarëve mbeten një nga përparësitë e qëndrueshme të aksionit tonë diplomatik”, ka deklaruar ministri Hoxha, duke shtuar se Shqipëria do të vijojë të jetë pranë shqiptarëve të Luginës së Preshevës përmes angazhimit, dialogut dhe mbështetjes konkrete.
Hoxha theksoi se përfaqësimi real dhe i denjë, ruajtja e identitetit kombëtar, arsimi, zhvillimi ekonomik dhe mundësitë për të rinjtë kërkojnë vëmendje të vazhdueshme, bashkërendim dhe veprim konkret.
“Puna vazhdon”, përfundoi Hoxha.

COMMENTS