Gjatë këtij vikendi ka përfunduar procesi i vlerësimit të projekteve të mediave të Luginës së Preshevës, të cilat kanë aplikuar për mbështetje fin

Gjatë këtij vikendi ka përfunduar procesi i vlerësimit të projekteve të mediave të Luginës së Preshevës, të cilat kanë aplikuar për mbështetje financiare nga fondet e ndara përmes Këshillit Kombëtar Shqiptar, me një buxhet total prej 150 mijë euro, mjete këto të ndara nga Republika e Kosovës.
Nga pesë komisione të formuara për fusha të ndryshme të thirrjes publike, vetëm komisioni për informim ka dalë me një komunikim transparent dhe me sqarime publike rreth procesit dhe kriterologjisë së punës, duke hapur rrugë për një standard më të lartë të llogaridhënies institucionale.
Anëtari i këtij komisioni, Alban Selimi, gazetar dhe autor emisioni në transmetuesin publik të Kosovës – RTK, ka bërë të ditur se vlerësimi është realizuar bashkë me dy gazetarët me përvojë, Hasan Hasani dhe Faruk Daliu, duke ndjekur parime të qarta, ku prioritet u kanë pasur projektet e mirëdokumentuara, të realizueshme dhe me qëllime të sinqerta në shërbim të komunitetit.
“Vendimmarrja ka qenë e mbështetur në meritë, transparencë dhe pa ndikime politike apo familjare, duke shmangur çdo tentativë që mund të cenonte objektivitetin,” është theksuar në njoftim e Selimit.
Ndihmë të konsiderueshme, sipas komisionit, ka dhënë edhe grupi për verifikimin e dokumentacionit, i përbërë nga Driton Bilalli dhe Alban Alili, ndërsa procesin e monitorimit e kanë kryer Zgjim Hasani, Selman Bektashi dhe Ardian Aliu, të cilët u vlerësuan për qasje profesionale dhe korrekte.
Projekte të refuzuara dhe kritere përjashtuese
Gjatë vlerësimit, sipas Selimit, nuk janë marrë parasysh:
- OJQ-të që nuk kanë qenë korrekte në raportimin financiar,
- ato që janë procesuar në gjykatë me Këshillin,
- organizatat apo grupet që kanë përfituar më herët nga Ministria për Pakicat në Serbi duke anashkaluar KKSH-në dhe që kanë tentuar të aplikojnë edhe tek fondet nga Kosova.
Gjithashtu është rrëzuar një projekt i cili në përmbajtjen e tij e referonte Kosovën me termin “Metohi”, çka është vlerësuar si e papranueshme.
Mesazhi final dhe pritshmëritë
Gazetari Selimi shpreson që në të ardhmen buxheti për mediat të rritet edhe më shumë, në mënyrë që mbështetja financiare të shkojë tek projektet më të vlefshme, më të qëndrueshme dhe që kontribuojnë realisht në informimin shqip në Luginë.
Sekretariati i KKSH-së, sipas Selimit, pritet së shpejti të publikojë listën finale me rezultatet e vlerësimit.
COMMENTS