Në kuadër të angazhimit të saj për të ofruar shërbime sa më efikase për qytetarët, Komuna e Bujanocit ka vendosur të zgjasë orarin e punës së Shër

Në kuadër të angazhimit të saj për të ofruar shërbime sa më efikase për qytetarët, Komuna e Bujanocit ka vendosur të zgjasë orarin e punës së Shërbimit të Ofiçarisë gjatë periudhës 15 korrik – 15 gusht, kur numri i mërgimtarëve që kthehen në vendlindje rritet ndjeshëm.
Sipas vendimit të marrë nga administrata komunale, ky shërbim do të funksionojë çdo ditë pune nga ora 07:00 deri në ora 18:00, si dhe të shtunave nga ora 09:00 deri në ora 15:00, me qëllim që bashkëqytetarët nga diaspora të mund të kryejnë obligimet e tyre administrative pa vonesa dhe në një kohë më të përshtatshme.
Kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, ka bërë të ditur gjithashtu se është dërguar një kërkesë zyrtare edhe Drejtorisë Policore në Vranjë, konkretisht Stacionit Policor në Bujanoc, që të ndjekin të njëjtin model me orar të zgjatur për shërbimin e lëshimit të dokumenteve personale.
“Qëllimi ynë është që çdo qytetar të ndjejë praninë dhe përkushtimin e institucioneve lokale, sidomos gjatë sezonit veror kur nevojat për shërbime administrative janë më të mëdha”, thekson Pajaziti.
Ky vendim vjen si një hap konkret në përmbushjen e nevojave të qytetarëve dhe në veçanti të mërgimtarëve, të cilët gjatë qëndrimit të tyre të përkohshëm në Bujanoc kërkojnë shërbime të shpejta, të qasshme dhe të lehtësuara.
COMMENTS