Komiteti për Punë të Jashtme i Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka miratuar rezolutën H.R. 6411, e cila trajton të drejtat etnike dh

Komiteti për Punë të Jashtme i Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka miratuar rezolutën H.R. 6411, e cila trajton të drejtat etnike dhe kombëtare të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Lajmi është bërë i ditur nga deputeti Shaip Kamberi, i cili e cilësoi këtë zhvillim si një qëndrim zyrtar të SHBA-së në mbështetje të shqiptarëve të kësaj treve.
Sipas Kamberit, mirënjohje e veçantë i është shprehur kongresistit Keith Self, kryetar i Nënkomitetit për Evropë, për iniciativën dhe lidershipin e tij, si dhe për përkrahjen dypartiake të kryetarit të Komitetit, Brian Mast, dhe nënkryetarit Gregory Meeks. Rezoluta pritet të procedohet për miratim të plotë në vetë Kongresin amerikan.
Në postimin e tij, deputeti thekson se kjo arritje është rezultat i një angazhimi të gjatë që nga viti 2001, me përkrahjen e vazhdueshme të Joe dhe Shirley DioGuardi dhe të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, si dhe me mbështetjen e komunitetit shqiptar në SHBA, veçanërisht në shtetin e Texasit përmes organizatës “Albanians For America”.
“Një betejë e gjatë dhe e drejtë, sot e kurorëzuar me sukses”, shkruan Kamberi, duke nënvizuar se Shtetet e Bashkuara po kërkojnë përgjegjësi ligjore dhe politike nga Beogradi për, siç thuhet, diskriminimin sistematik ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Në fund, deputeti falënderon të gjithë ata që kanë kontribuar ndër vite, duke theksuar se zëri i shqiptarëve është dëgjuar dhe se puna institucionale, përfshirë edhe ndihmën e Qeverisë së Republikës së Kosovës për Luginën, tashmë po jep rezultate konkrete.

COMMENTS