Raporti më i ri i Komitetit të Ekspertëve të Kartës Evropiane për Gjuhët Rajonale ose të Pakicave ka konfirmuar se shqetësimet e Këshillit Kombëta

Raporti më i ri i Komitetit të Ekspertëve të Kartës Evropiane për Gjuhët Rajonale ose të Pakicave ka konfirmuar se shqetësimet e Këshillit Kombëtar Shqiptar lidhur me moszbatimin e të drejtave gjuhësore në Serbi janë plotësisht të bazuara dhe të argumentuara.
Sipas dokumentit, e drejta për përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe vazhdon të mbetet jashtë funksionit në shumicën e institucioneve shtetërore, ndërsa qytetarëve shqiptarë ende nuk u ofrohen dokumente, formularë, platforma elektronike, tabela informuese dhe komunikim administrativ në gjuhën amtare. Raporti thekson edhe mungesën e stafit dygjuhësh, që sipas vlerësimit, e thellon diskriminimin institucional dhe e bën të pamundur realizimin praktik të të drejtave të garantuara me ligj.
Rekomandimet janë pranuar, por asnjë hap nuk është zbatuar
Në muajin shkurt, përfaqësues të KKSH-së dhe shoqërisë civile kanë paraqitur propozime konkrete në Tryezën e Implementimit të Kartës, ku pala serbe kishte pranuar obligimin që brenda pesë muajve të fillonte hapat e parë praktikë për zbatim. Ndër rekomandimet e dakorduara ishin:
- krijimi i ekipit të përkthyesve administrativë,
- përkthimi i dokumenteve zyrtare,
- funksionalizimi i platformave digjitale dhe formularëve në gjuhën shqipe.
Megjithatë, siç theksohet në raport, asnjë prej këtyre zotimeve nuk është përmbushur, ndërsa takimi pasues nuk është thirrur nga asnjë institucion shtetëror.
KKSH: Fakte të pakundërshtueshme – do të vazhdojmë presionin institucional
Kryetari i KKSH-së, Enkel Rexhepi, e ka cilësuar raportin si një dëshmi të qartë ndërkombëtare që legjitimon punën dhe vërejtjet e paraqitura nga institucioni që ai drejton.
“Ky konstatim ndërkombëtar është provë e pakontestueshme se shqetësimet tona kanë qenë të sakta dhe të bazuara në realitet. Raporti tregon qartë mungesën e vullnetit shtetëror për të trajtuar gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare,” — u shpreh Rexhepi.
Ai ka theksuar se KKSH do të vazhdojë me këmbëngulje adresimin e shkeljeve në instanca vendore dhe ndërkombëtare, derisa të sigurohet zbatimi real i standardeve evropiane dhe i të drejtave gjuhësore për shqiptarët në Luginën e Preshevës.
COMMENTS