Deputeti Shaip Kamberi ka paralajmëruar se policia multietnike në Luginën e Preshevës dhe në Sanxhak është në rrezik të zhdukjes, për shkak të mun

Deputeti Shaip Kamberi ka paralajmëruar se policia multietnike në Luginën e Preshevës dhe në Sanxhak është në rrezik të zhdukjes, për shkak të mungesës së përfaqësimit të drejtë të shqiptarëve dhe boshnjakëve në strukturat policore.
Së bashku me deputetët e Partisë për Veprim Demokratik (SDA) nga Sanxhaku, Ahmedin Shkrijel dhe Minela Kalender, Kamberi ka iniciuar një nismë për hartimin e një programi të veçantë, që do të mundësonte punësimin e të rinjve shqiptarë dhe boshnjakë në polici, në të gjitha komunat dhe qytetet ku jetojnë këto komunitete.
Sipas tij, punësimet e dhjetë viteve të fundit nuk kanë siguruar përfaqësim të barabartë, duke ulur ndjeshëm numrin e shqiptarëve dhe boshnjakëve në polici, çka ka shkaktuar mospërputhje të dukshme në strukturën e policisë lokale dhe ka cenuar besimin e qytetarëve në organet e rendit.
Në letrën drejtuar kryeministrit të Serbisë, deputetët kanë kërkuar që ky program i posaçëm të zbatohet deri sa përbërja e policisë të pasqyrojë realisht përbërjen etnike të popullsisë në Luginën e Preshevës dhe në Sanxhak.
Kamberi ka rikujtuar se në vitin 2001, me ndërmjetësimin e OSBE-së, u krijua një model i suksesshëm i policisë multietnike, i cili solli stabilitet dhe besim tek qytetarët, dhe se është koha që ky model të rikthehet dhe të forcohet.
COMMENTS