Deputeti popullor, Shaip Kamberi, ka falenderuar sot qytetarët për përkrahjen e dhënë që nga marrja e pozitës së deputetit në parlament. Përmes
Deputeti popullor, Shaip Kamberi, ka falenderuar sot qytetarët për përkrahjen e dhënë që nga marrja e pozitës së deputetit në parlament.
Përmes një letre në gjuhën shqipe dhe atë serbe, Kamberi ka theksuar se ka pranuar shumë mesazhe nga të gjitha përkatësitë etnike dhe besimet fetare dhe se kjo dëshmon se ka një vullnet për një frymë të re në Serbi.
Postimi i plotë i Kamberit:
Të nderuar qytetarë,
Sot dua t’ju shpreh falenderimet e mia të përzemërta për mesazhet e shumta mbështetëse që kam pranuar nga Ju, prej fillimit të mandatit tim si deputet në Kuvendin e Republikës së Serbisë.
Ndjehem sidomos i lumtur dhe i nderuar që kam pranuar mesazhe përkrahëse nga qytetarët e të gjitha përkatësive etnike, religjoze, gjinore, sociale etj.
Kjo dëshmon se sot ekziston një potencial i rëndësishëm demokratik që e dëshiron një Serbi tjetër nga ajo që e përfaqëson pushteti i sotëm në Beograd.
Por kjo shpërfaq po ashtu se shoqëritë tona në Ballkanin Perëndimor janë lodhur nga politikat dominuese të tranzicionit tridhjetëvjeçar, të cilat prodhuan për popujt e rajonit shumë humbje njerëzore e materiale, trauma, vuajtje, papunësi, varfëri, padrejtësi dhe pabarazi.
Nuk duhet të kemi frikë nga diversiteti që është vlerë shoqërore dhe historike e Ballkanit Perëndimor. E aq më pak nga barazia. Qoftë brenda shteteve, qoftë me shtetet fqinje. Përkundrazi.
Një realitet tjetër është i mundshëm.
Një Ballkan ku ka vend për të gjithë, si qytetarë të lirë dhe të barabartë.
Por për këtë duhet të pranojmë para së gjithash ta ndryshojmë veten tonë, sepse nuk mund të presim rezultat tjetër me sjellje të njëjtë.
Vullnet ka.
Ju faleminderit!
COMMENTS