HomeShoqëri

“JUGOKOP” – THERTORJA QË MUND TË RINGJALLË BLEGTORINË DHE EKONOMINË E JUGUT TË SERBISË

Në hyrje të Bujanocit qëndron një kompleks industrial që dikur ishte simbol i zhvillimit ekonomik të jugut të Serbisë. Sot, pas më shumë se 15 vit

Filloristët e “Naim Frashëri” vizitojnë Kuvendin Komunal të Bujanocit
Ngritet aktakuzë për korrupsion kundër kryetares së komunës së Preshevës – Ardita Sinani
Pajaziti: Gabim që nuk u votua “Pako emergjente”

Në hyrje të Bujanocit qëndron një kompleks industrial që dikur ishte simbol i zhvillimit ekonomik të jugut të Serbisë. Sot, pas më shumë se 15 vitesh në falimentim, thertorja “Jugokop” është shndërruar në një objekt të heshtur, ndërsa gjithnjë e më shumë ekspertë, blegtorë dhe përfaqësues të institucioneve besojnë se rikthimi i saj në funksion mund të ndryshojë rrënjësisht të ardhmen e blegtorisë dhe ekonomisë së këtij rajoni.

Në një kohë kur Serbia investon miliona euro në subvencionimin e bujqësisë dhe blegtorisë, mungesa e një thertoreje moderne në jug të vendit vazhdon të jetë një nga pengesat më të mëdha për zhvillimin e sektorit.

Një kapacitet që dikur ushqente tregjet evropiane

“Jugokop” u ndërtua në vitin 1987 si një nga investimet më të mëdha në industrinë e mishit në ish-Jugosllavi. Objekti, me sipërfaqe prej rreth 2.500 metrash katrorë dhe me vlerë investimi prej rreth 17 milionë dollarësh, ishte projektuar për përpunimin e mishit të qengjit dhe gjedhit sipas standardeve më të larta të kohës.

Në periudhën e tij më të mirë, fabrika punësonte rreth 190 punëtorë dhe gjatë sezonit përpunonte mbi 100 mijë qengja të destinuar për tregjet e Italisë, Greqisë, vendeve të Lindjes së Mesme, Shqipërisë, Malit të Zi, Sllovenisë dhe Bosnje e Hercegovinës. “Jugokop” dispononte edhe numrin zyrtar të eksportit për tregun e Bashkimit Evropian.

Kompleksi përfshinte repartin e therjes, frigoriferë industrialë, tunele për ngrirje, objekte për pranimin e bagëtive, repart për përpunimin e mishit, depo, ndërtesë administrative dhe infrastrukturë të plotë teknike.

Megjithatë, në vitin 2010 ndërmarrja hyri në falimentim. Që atëherë objekti ka mbetur jashtë funksionit, ndërsa çdo vit rritet rreziku i degradimit të tij.

Serbia eksporton kafshë të gjalla, jo produkte me vlerë

Sipas ekspertëve të agrarit, Serbia prodhon çdo vit rreth 160 mijë viça për majmëri dhe afro një milion qengja. Megjithatë, një pjesë e madhe e tyre eksportohen si kafshë të gjalla.

Kjo praktikë, sipas tyre, i privon fermerët dhe ekonominë vendase nga fitimi që do të sillte përpunimi i mishit në vend. Çdo fazë shtesë e përpunimit nënkupton vende të reja pune, më shumë të ardhura për fermerët, angazhim të transportit, industrisë ushqimore dhe rritje të eksporteve.

Interesimi për mishin serb ekziston prej vitesh në vendet e Lindjes së Mesme, Afrikës Veriore dhe në tregjet evropiane, por mungesa e kapaciteteve moderne për përpunim kufizon shfrytëzimin e këtij potenciali.

Blegtoria në jug vazhdon të rritet

Ndryshe nga perceptimi se blegtoria është në rënie, të dhënat nga terreni tregojnë një prirje tjetër.

Sipas Stacionit Veterinar në Bujanoc, numri i gjedhëve rritet rreth 7 për qind në vit, i deleve rreth 14 për qind, ndërsa i dhive rreth 18 për qind. Vetëm në territorin e komunave të Bujanocit dhe Preshevës prodhohen çdo vit nga 25 deri në 30 mijë qengja.

Falë subvencioneve shtetërore, importit të mëshqerrave cilësore dhe përmirësimit të racave, fondi blegtoral është përmirësuar ndjeshëm. Megjithatë, fermerët vazhdojnë të përballen me mungesën e tregut të organizuar, çmime të paqëndrueshme dhe kosto të larta transporti.

Ekspertët kërkojnë rikthimin e “Jugokop”-it

Publicisti dhe njohësi i zhvillimit rural Branislav Gulan, analisti agrar Čedomir Keco, profesori i Fakultetit të Bujqësisë dr Cvijan Mekić, kryetari i Odës Rajonale Ekonomike Goran Jović dhe drejtori i Stacionit Veterinar dr Miodrag Milković janë ndër zërat më të njohur që mbështesin rikthimin në funksion të thertores.

Sipas tyre, “Jugokop” nuk është vetëm një objekt industrial, por një hallkë që mungon në zinxhirin e prodhimit blegtoral.

Prof. dr Cvijan Mekić vlerëson se eksporti i kafshëve të gjalla është ekonomikisht i pafavorshëm dhe se Serbia duhet të eksportojë mish të përpunuar. Ai konsideron se objekti në Bujanoc mund të modernizohet dhe të përshtatet me standardet bashkëkohore.

Ndërkaq, Goran Jović thekson se rikthimi i “Jugokop”-it do të kishte kuptim vetëm nëse sigurohet një analizë e plotë e fondit blegtoral dhe një model ekonomik i qëndrueshëm, por shton se çdo investim që hap vende pune dhe zhvillon prodhimin ushqimor meriton mbështetje.

Zëri i blegtorëve

Për blegtorët, mungesa e një thertoreje funksionale nënkupton pasiguri.

Tomislav Stojanović nga Levosoja, i cili mori pjesë në ndërtimin e “Jugokop”-it, beson se rikthimi i tij do të siguronte treg të qëndrueshëm për prodhuesit dhe do të nxiste shtimin e numrit të krerëve.

Edhe blegtori Aleksandar Radojević nga Kovini vlerëson se Serbia nuk ka nevojë për analiza të pafundme, por për vendime konkrete që do t’u japin fermerëve siguri për investime afatgjata.

Drejtori i Stacionit Veterinar në Bujanoc, dr Miodrag Milković, thekson se për rikonstruktimin e objektit nevojiten rreth 2,5 deri në 3 milionë euro, por se kjo është një investim që do të kthehej përmes zhvillimit të blegtorisë, hapjes së vendeve të reja të punës dhe rritjes së eksporteve.

Iniciativa e 400 blegtorëve

Në vitin 2020, rreth 400 blegtorë nga Bujanoci, Presheva, Bosilegradi, Vranja, Surdulica, Vladiçin Hani dhe Tërgovishta iu drejtuan institucioneve shtetërore me një kërkesë të përbashkët për shpëtimin e “Jugokop”-it.

Në dokumentin e dorëzuar Kabinetit të Presidentit të Serbisë, Ministrisë së Ekonomisë, Ministrisë së Bujqësisë dhe Trupit Koordinues për jugun e Serbisë, ata argumentojnë se pas falimentimit të thertores blegtorët mbetën pa treg të organizuar, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e bagëtive tregtohet përmes kanaleve joformale.

Ata kërkojnë që shteti të përcaktojë statusin juridik të ndërmarrjes, të mundësojë investimin në rikonstruktimin e saj dhe të krijojë kushte për një sistem modern të grumbullimit dhe përpunimit të mishit.

Studimi i fizibilitetit

Me iniciativën e Trupit Koordinues për jugun e Serbisë është hartuar një studim fizibiliteti, në të cilin morën pjesë 17 ekipe ekspertësh.

Studimi konkludon se për aktivizimin e rreth gjysmës së kapaciteteve nevojiten rreth 470 mijë euro, ndërsa rreth 500 mijë euro të tjera për ndërtimin e impiantit të trajtimit të ujërave të ndotura.

Në fazën e parë do të mund të punësoheshin nga 70 deri në 100 punëtorë.

Një investim për të ardhmen

Rikthimi i “Jugokop”-it nuk do të ishte vetëm shpëtimi i një fabrike të vjetër. Ai do të krijonte një treg të sigurt për mijëra fermerë, do të rriste eksportin e produkteve me vlerë të shtuar, do të nxiste zhvillimin e zonave rurale dhe do të hapte vende të reja pune në një nga rajonet më pak të zhvilluara të Serbisë.

Për këtë arsye, gjithnjë e më shumë ekspertë besojnë se çështja e “Jugokop”-it nuk duhet parë si një problem lokal i Bujanocit, por si një projekt me rëndësi strategjike për zhvillimin e blegtorisë dhe ekonomisë së gjithë jugut të Serbisë.

Mbetet të shihet nëse institucionet shtetërore do ta shfrytëzojnë këtë potencial, apo “Jugokop” do të vazhdojë të mbetet simbol i një mundësie të humbur.

COMMENTS