HomeVështrime

Gjykata Kushtetuese nuk mund të pastrojë çdo bërllok të shkaktuar nga partitë politike

Enver Robelli Polarizimi ekstrem politik, gara e politikanëve për kontrabandim vendimesh, tentimi që me çdo kusht t’i hapet gropa kundërshtarit p

Si tentuan të burgosurit serbë t’i realizojnë qëllimet e tyre duke djegur burgun e Sremit, ku ishin mbi 100 shqiptarë të burgosur
ISHTE KOHA KUR PRESHEVA LULËZONTE…
Serbia, nuk po e zbaton Marrëveshjen e Konçulit

Enver Robelli

Polarizimi ekstrem politik, gara e politikanëve për kontrabandim vendimesh, tentimi që me çdo kusht t’i hapet gropa kundërshtarit politik kanë ndikuar që shumë çështje të politikës kosovare të përfundojnë te Gjykata Kushtetuese. Me gjasë përveç Kosovës nuk ka vend tjetër në rajon ku Gjykata Kushtetuese thirret aq shpesh për të pastruar bërllokun e politikës. Por Gjykata Kushtetuese nuk mund t’i zgjidhë të gjitha prapësitë që i shkaktojnë partitë politike.

1. Carl Schmitt apo Hans Kelsen?

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për pezullimin e dekretit të presidentit për emërimin e kandidatit të LDK-së për postin e kryeministrit, secila palë bën interpretimet e veta. Disa gëzohen, disa hidhërohen, e disa thonë se jo gjithçka është e kapur në Kosovë, sepse – ja shembulli! – Gjykata Kushtetuese, kësaj radhe, u përpoq të kufizojë dëmin që LDK dhe partitë e tjera, në bashkëveprim me presidentin, po tentonin t’ia shkaktonin rendit kushtetues, parlamentar e gjithështetëror të Kosovës. Por, as vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese nuk e zgjidh problemin, nuk do ta zgjidh as pasi gjykata të marrë vendim përfundimtar me gjasë deri në fund të muajit maj.

Fakti që partitë politike në Kosovë aq shpesh i drejtohen Gjykatës Kushtetuese, tregon nivelin e tyre katastrofal të politikëbërjes. Pa asnjë dallim. Domethënë: parti të paafta për të menaxhuar kriza politike, të cilat kërkojnë t’ua zgjidh Gjykata Kushtetuese. Parti që syhapur futen në aventura dhe përfundojnë në Gjykatë Kushtetuese. E këtu po dallohet për të keq edhe Lëvizja Vetëvendosje dhe qeveria e komanduar prej saj. T’ia bësh me dije Gjykatës Kushtetuese (përmes letrës dhe aludimit!) se po ju monitorojmë nëse po merrni vendime në pajtim me ligjet është – thënë më së buti – e papranueshme. Dhe këtu përgjegjësinë kryesore e bartin kryeministri në detyrë dhe ekipi i tij. Yryshi triumfalist është papjekuri kolosale politike. Kjo sjellje neverit shumë qytetarë.

Juristi i madh gjerman Carl Schmitt në debatin e tij të famshëm me rivalin e tij Hans Kelsen argumenton se tentimi për të zgjidhur kriza politike me rrugë gjyqësore nuk funksionon. Andaj Schmitt mendonte se nuk duhet të ketë fare Gjykatë Kushtetuese. Hans Kelsen, babai doktrinar i gjyqësisë kushtetuese, përfaqësonte mendimin se duhet të ekzistojë një gjykatë e veçantë, jashtë sistemit të rregullt gjyqësor, që si autoritet final interpreton Kushtetutën. Pa marrë parasysh kush ka të drejtë (Schmitt apo Kelsen), është mirë që disa në VV t’i kuptojnë më mirë këto debate juridike dhe të lënë anash lojërat infantile me letra e me selame për Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Tjetri mund të bindet me argumente, jo me kërcënime qesharake.

2. Dy detaje nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese

I pari: Në biografinë e gjykatësit Radomir Laban, i cili përfaqëson pakicën serbe, shkruan se: “Gjyqtari Laban gjithashtu ka punuar në Administratën Republikane të Doganës, dega në Prishtinë në periudhën 1994–1999, si dhe në pozita të ndryshme në Zyrën e Doganës në Xërxë dhe në vendkalimin kufitar Qafa e Prushit”. Formulimi “administratë republikane” mendon qartë Republikën e Serbisë. Në vitet 90-të Republika e Serbisë ka qenë pushtet pushtues në Kosovë. Rrjedhimisht, formulimi “administratë republikane” (duke menduar për Serbinë) në webfaqen zyrtare të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës është problematik. Laban mund të shkruajë çfarë të dojë në biografinë e tij, por është me rëndësi që Gjykata Kushtetuese qoftë edhe me një fusnotë ta shpjegojë se termi “administratë republikane” nënkupton pushtetin e dhunshëm serb të viteve 90-të, i cili nuk pranohet nga shumica e qytetarëve të Kosovës. Laban, i emëruar nga Hashim Thaçi më 2018, ka një histori interesante. Në vitin 2011 është dënuar në Serbi me 6 vjet burg si zyrtar i doganës serbe. Sipas gazetës serbe “Blic” ai ka vuajtur gjysmën e dënimit ndërsa gjendej në paraburgim dhe po priste procesin gjyqësor, në periudhën 2006-2011. Pas gjykimit, Laban u lirua përkohësisht deri në pranimin e ftesës për të vuajtur dënimin, por ai iku në Kosovë. Në vitin 2017 gjykata në Kralevë lëshoi fletarrest për Labanin, ku u kërkua që ai t’i ekstradohet Serbisë. Gjykatësi Laban ndoshta e kryen punën e tij me nder, si përparësi mund të jetë edhe njohja e gjuhës shqipe dhe rrjedhimisht edhe njohja më e mirë e realitetit politik në Kosovë, por ai formulimi se ka punuar në “administratë republikane” kërkon një saktësim në respekt të opinionit të Kosovës.

Detaji i dytë: Vendimi për masë të përkohshme është marrë me shumicë votash. Domethënë në Gjykatën Kushtetuese ka gjykatës që nuk kanë parë asnjë problem në veprimet e fundit të Zyrës së Presidentit. Ekziston rreziku që në javët në vijim nga partitë që duan të krijojnë qeveri të rritet presioni ndaj gjykatësve që morën vendimin e sotëm në mënyrë që ata të ndërrojnë mendje për vendimin përfundimtar. Në fakt para vendimit të djeshëm kryetari i LDK-së iu drejtua me ton kërcënues Gjykatës Kushtetuese. Ai tha: “Në asnjë rast nuk ka arsye që të merret masë e parakohshme ndaj dekretit të Thaçit sepse konsiderohet që të gjitha arsyet që janë dhënë në kërkesën e VV-së janë paragjykime dhe të pabazuara”.

3. Dallimi mes Kosovës dhe Shqipërisë

Situata në Kosovë është kaotike, vendi gjendet në një qorrsokak, polarizimi politik është i madh, zhurma publike gati e padurueshme. Por Kosova së paku ka Gjykatë Kushtetuese, pa marrë parasysh a pajtohemi apo jo me vendimet e saj në të kaluarën, në të tashmen apo në të ardhmen. Është praktikë e mirë që partitë politike respektojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

Shqipëria nën qeverinë e Partisë Socialiste nuk ka:

– Gjykatë Kushtetuese (jofunksionale)

– Gjykatë të Lartë (jofunksionale)

– Parlamenti është pa opozitë (pra, jofunksional)

– 99 për qind të pushtetit lokal e ka PS

– Shumica e mediave janë të dëgjueshme ndaj qeverisë, madje nganjëherë pa i shtyrë fare qeveria për këtë, thjeshtë kanë humbur besueshmërinë dhe vrapojnë pas agjendës së pushtetit

– E vetmja opozitë ndaj Edi Ramës është Brryli Broadway – dhe kjo nuk është aspak qesharake, në të vërtetë është tragjike. Por shyqyr që ekziston Brryli Broadway e të shpresojmë se nuk e ndalon qeveria me qorrferman

– Para se të binte regjimi komunist, shqiptarët e shtypur brohorisnin: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”. Fillimisht ndoshta duhet të modifikohet kjo parullë: “E duam Shqipërinë si Kosova”. Me Gjykatë Kushtetuese, së paku. Pastaj shkojmë të gjithë në bregdet…

COMMENTS