HomeVështrime

Ministri Cakaj ngre një axhendë të munguar shtetërore për Luginën e Preshevës

Shkruan : Valon GASHI Në memorien time si bir i Bujanocit dhe pjesë e shqiptarëve etnikë të mbetur nën Serbi, gjatë ka qenë disi i pashpjeguesh

Reagim i ashpër i PVD-së: „ Nuk i frigohemi diktatorit provincial „, Nëse ke guxim fute SNS-in në koalicion
Boske: Protesta kundër pushtetit lokal, Kamberi: Po të varej nga pushteti lokal nuk do t’i kishim këto probleme
Musliu takon ministren e arsimit të Shqipërisë

Shkruan : Valon GASHI

Në memorien time si bir i Bujanocit dhe pjesë e shqiptarëve etnikë të mbetur nën Serbi, gjatë ka qenë disi i pashpjegueshëm pohimi i dhimbshëm i të parrëve tanë se: Kurrë Shqipëria shtetërore nuk ka bërë atë që duhej bërë për shqiptarët e Luginës! Ka qenë fatkeqësisht një ankesë e mbartur në breza njerëzorë përgjatë historisë mbi një shekullore të shtetit shqiptar. Arsyeja ka qenë e lidhur me realitetin e diskriminimit etnik që ne si shtetas të një kombësie tjetër kemi përjetuar nën Serbi.
Ka qenë mungesa e gjatë dhe vrastare e lidhjeve dhe komunikimit me shtetin tonë amë si dhe shumë e shumë arsye që përfshijnë përndjekjen etnike, zbrazjen demografike të trojeve tona, shtypjen në gjithë kuptimin e fjalës deri edhe gjymtimin fizik e prej forcës ushtarake në momente të ndryshme. Rezistenca për ruajtjen e identitetit, unitetit dhe përfaqësimit tonë etnik shqiptar nën regjimet e Serbisë politike përbëjne një pjesë të shkëlqyer e të lavdishme të historisë shqiptare në tërësi.
Këtë fillim javë Ministri i Punëve të Jashtme dhe për Europën, Gent Cakaj nisi vizitën e pakrahasueshme zyrtare, tre ditore në Luginën e Preshevës. Qëndrime dhe një axhendë e cila nuk ka të krahasuar me vizita të tilla të paraardhësve të vet në këtë detyrë. Janë disa çështje konkrete që nuk bëhen pjesë e axhendës ministrore në këtë vizitë, si premtim dhe protokoll, por si nisma reale dhe zbatime konkrete.
Për herë të parë në historinë e diplomacisë së shtetit shqiptar është marrë një iniciativë për bashkimin e gjithë spektrit politik shqiptar në Luginë të Preshevës që në një listë të përbashkët të dalin në zgjedhjet parlamentare në zgjedhjet e radhës në Serbi. Kjo nismë po mishërohet duke kaluar përmes një process komunikimi intensive, negocimi mes liderëve partiakë dhe duke marrë në konsideratë peshën specifike politike të çdo faktori lokal dhe partiak në Luginë.
Shprehja e ministrit Cakaj: “Unë punoj për Luginën e Preshevës”, nuk ëhstë thjesht një slogan, por një objektiv institucional që po mishërohet dhe zbatohet praktikisht. Ministri gjatë vizitës në Preshevë me të drejtën konfirmon se “Lugina e Preshevës ka qenë një nga prioritetet tona për çështjet rajonale, duke nënvizuar faktin se: “Është marrë një varg masash nga shteti shqiptar në drejtim të shqiptarëve të Luginës”.
Në këto hapa institucionalë dhe konkretë ministri rendit: Financimin e rregullt të shtetit shqiptar për Këshillin Kombëtar Shqiptar. Për herë të parë, financimin për rinovimin e qendrës multidimensionale në Bujanoc. Arritjen e marrëveshjes së koaalicionit shqiptar të Luginës së Preshevës për përfaqësim në zgjedhjet parlamentare më datën 21 qershor 2020. Kërkesën për Konsullatë të Përgjithshme të Shqipërisë në Luginë të Preshevës e cila do të shërbejë si “Ambasadë” e shtetit amë për komunitetin etnik të shqiptarëve në Serbi. Pjesë e rëndësishme e kësaj axhende është edhe projekti i radhës, (padyshim më befasuesi në gjithë sipërmarrjen institucionale të diplomacisë së Shqipërisë për diasporën e Luginës), sipas të cilit, shumë shpejt diplomacia shqiptare do të ketë të emëruar të posaçëm për mbështetjen e shqiptarëve nga Lugina e Preshevës në diasporë.
Një akt i tillë dhe emërimi i pritshëm zyrtar, krijon mundësinë e madhe për një komunikim dhe bashkëpunim me asetet më të rëndësishme të diasporës së Luginës nëpër Botë. Nga pikëpamja demografike, Lugina e Preshevës ka diapsorën më të madhe të krahasuar me të gjitha pakicat etnike në shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Me të drejtë gjatë kësaj vizite të fundit të ministrit Cakaj në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë ripohohet fakti se nëpër shumë forume ndërkombëtare është ngritur shqetesimi i shqiptarëve të Luginës përsa i përket pasivizimit në gjendjen civile apo adresat e tyre në trojet etnike.
Nismat institucionale, përkujdesi zyrtar i përhershëm, fuqizimi i kapaciteteve të përfaqësimit shqiptar në Luginë, shtimi i mundësive për ekspertizë dhe shkembime institucionale, japin shpresë e zgjojnë besimin se Shqipëria zyrtare nuk është më një shtet i dobët dhe i painteresuar për bashkëkombasit e vet në troje, por përkundrazi, dëshmon profilin e ri të një shtetit europian që i kërkon standartet dhe i mbron të drejtat e tyre, konform kartave ndërkombëtare, në përputhje me kriteret e bashkësisë komunitare, sikundër ndodh me kombet dhe shtetet e kësaj bashkësie dhe atyre që janë në epilogun e fundëm të anëtarësimit brenda saj.
Axhenda, komunikimi dhe prurja e re institucionale e ministrit Cakaj në ditët e kësaj vizite në Luginën e Preshevës, mbartin edhe peshën e provës së shembjes së asaj ankese që të parët tanë e pohonin shpesh se shteti shqiptar, nuk është më në gjumin e harresës për shqiptarët etnikë në troje.

*Gazetar nga Bujanoci, rezident në Tiranë

COMMENTS