HomeEditorial

Fjala e redaktorit: Nëntori i dytë në Luginë

Dikur duhej të përshkonim rreth 800 kilometra vajtje–ardhje për të marrë pjesë në evenimentin zyrtar të shtetit shqiptar, në shtetin ku jetojmë, m

Zgjedhja e gjyqtareve të reja në Bujanoc, Kamberi: Diskriminim ndaj pakicave
Nuk ka boks në Bujanoc
Dita e dytë e shpërndarjes së librave: Destinacioni „ M. Kadriu dhe N.Frashëri „

Dikur duhej të përshkonim rreth 800 kilometra vajtje–ardhje për të marrë pjesë në evenimentin zyrtar të shtetit shqiptar, në shtetin ku jetojmë, me rastin e përvjetorit të shpalljes së pavarësisë.

Përveç largësisë së Beogradit, emocion më vete ishte edhe ndjekja e aktiviteteve nga Saranda në Shkodër, të cilat i shihnim vetëm përmes televizorit.

Në Luginën tonë, festat e nëntorit përfundonin brenda një ore të vetme, më datën 28-të.

Por ja që gjërat nisën të ndryshojnë, dhe për fat të mirë, në drejtimin e duhur.

Muaji i 11-të i vitit tashmë nuk është vetëm një muaj i festave kombëtare. Me hapa të ngadaltë, por të sigurt, ai po shndërrohet në një simbol të ri politik, kulturor dhe identitar.

Prej dy vitesh radhazi, agjenda e shtetit shqiptar për shënimin e festave të pavarësisë nuk kufizohet më vetëm në ceremonitë zyrtare në Beograd, siç ishte traditë prej shumë vitesh. Ajo është zhvendosur fuqishëm drejt Luginës.

Dhe kjo zhvendosje nuk është aspak e rastësishme. Nuk është formalitet, as gjest protokollar.

Është një deklaratë e qartë se shteti shqiptar më në fund e ka kuptuar se Luginës nuk mund t’i drejtohesh vetëm me fjalë, por me praninë e tij të drejtpërdrejtë.

Simbolika e këtij ndryshimi është shumë më e thellë sesa mund të duket.

Duke e sjellë pritjen shtetërore të 28 Nëntorit në Luginë dy vite me radhë, Shqipëria dërgon mesazhin se shqiptarët e kësaj treve nuk janë një periferi e largët, por pjesë e pandarë e hartës simbolike, kulturore dhe politike të kombit.

Ky është një Nëntor i dytë, një Nëntor që më në fund po vjen aty ku zemra e komunitetit shqiptar ka rrahur gjithmonë, edhe në vitet e vështira, shpesh të anashkaluara nga Tirana zyrtare.

Këtë vit, programi “NëntorLugine”, i realizuar nga Këshilli Kombëtar Shqiptar me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Turizmit dhe Sportit të Shqipërisë, solli një seri ngjarjesh që rrallë i kemi parë më parë në këtë rajon.

Ekspozita, koncerte, shfaqje teatrore, takime letrare, promovime librash, aktivitete për fëmijë, programe sportive e shumë të tjera krijuan një kalendar të pasur që përfshiu çdo grupmoshë dhe çdo interes.

Atmosfera që u krijua në Bujanoc, Preshevë, Medvegjë e deri në Sanxhak ishte e një niveli që shumë prej nesh do ta konsideronin të paimagjinueshëm vetëm pak vite më parë.

Kaq shumë Shqipëri në Luginë nuk ka pasur kurrë më herët. Kaq shumë aktivitete, përfaqësues institucionalë, energji, prani fizike dhe emocionale.

Dhe e gjitha kjo nuk është rezultat i rastësisë, por i një vizioni të qartë dhe një pune të palodhur.

Në qendër të këtij transformimi qëndron angazhimi i Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Beograd, veçanërisht përkushtimi i ambasadorit Bardhyl Canaj.

Që prej marrjes së detyrës, ambasadori Canaj e ka shndërruar Luginën në pjesë të pandarë të axhendës së tij diplomatike. Jo vetëm deklarativisht, por në terren.

Ai ka qenë i pranishëm vazhdimisht në çdo cep të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, duke treguar se ky mision për të nuk është një detyrë rutinë, por një kauzë e brendshme, një përgjegjësi njerëzore, profesionale e mbi të gjitha kombëtare.

Për këtë dëshmuan edhe lotët e tij të cilët nuk pushuan derisa fëmijët e shkollës shqipe të Bujanocit këndonin himnin kombëtar.

Aftësitë e tij diplomatike kanë fituar respekt të gjerë, madje edhe nga institucionet më të larta të shtetit nikoqir ku ushtron detyrën.

Këtë e dëshmoi qartë prania e zyrtarëve të rangut të lartë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë në pritjen e 28 Nëntorit në Bujanoc, diçka që nuk ndodh spontanisht dhe që flet shumë për mënyrën se si ambasadori Canaj ndërton ura komunikimi e besimi.

Në këtë kuptim, një diplomat i kalibrit të tij është një dhuratë e çmuar jo vetëm për shqiptarët e Luginës, por edhe një faktor stabiliteti e maturie në rajonin tonë, ku marrëdhëniet shqiptaro–serbe kërkojnë qasje me pjekuri, ekuilibër dhe profesionalizëm.

Qasja e tij e matur e ka bërë që tashmë të jetë i njohur në detaje me çdo figurë publike të Luginës, me historitë dhe sfidat e tyre.

Ajo që e bën të veçantë është fakti se ai ka vendosur një standard të ri.

Nuk mban anën e askujt, nuk favorizon asnjë grup politik. Dhe më e rëndësishmja: nuk bëhet pjesë e interesave lokale, nuk kërkon protagonizëm personal dhe nuk përdor misionin diplomatik për përfitime të ngushta.

Detyrën e kryen me nder, me etikë dhe me përkushtim. Misioni i tij është i qartë: të bashkojë, jo të ndajë.

Dhe vërtet, ai ia doli të krijojë atë që shpesh duket e pamundur, të mbledhë shqiptarët së bashku, të paktën për një mbrëmje nën të njëjtin kulm.

Por është po aq e vërtetë se shqiptarët e Luginës, nën të njëjtin kulm, sërish u ulën në tavolina të ndara sipas partive. Kjo pamje e hidhur e prapambeturisë sonë provinciale e politike nuk është faj i ambasadorit. Ai ka bërë maksimumin; nuk mund të zhytet më tej në baltën e ndarjeve tona të stisura, të dëmshme dhe të pafundme.

Ka njerëz që mendojnë për të ardhmen me mend, me vizion dhe me përgjegjësi.

Dhe ka të tjerë që reagojnë sipas impulsit, interesit dhe urdhrit të barkut.

Diplomati Canaj i përket kategorisë së parë: punon me profesionalizëm, sens shtetëror dhe moral.

Politika jonë lokale, për fat të keq, shpesh përfaqëson të kundërtën.

Ndoshta një ditë do të vijë koha që edhe ne të ngrihemi në nivelin që meriton kjo trevë.

Deri atëherë, mbetet të themi vetëm një fjali:

Faleminderit, mëmë Shqipëri. Më në fund po e zbaton detyrën tënde ndaj Luginës.

 

 

 

COMMENTS