Shkruan: Alban Alili Përbashkimi në Këshillin Kombëtar Shqiptar, pas atij për zgjedhjet parlamentare, të të gjitha partive politike në Luginë t

Shkruan: Alban Alili
Përbashkimi në Këshillin Kombëtar Shqiptar, pas atij për zgjedhjet parlamentare, të të gjitha partive politike në Luginë të Preshevës , në vetvete shënon fillimin e një epoke të re politike, e cila në qendër të saj ka një parim të thjeshtë, aty ku mund të jemi bashkë, nuk ka arsye të jemi të ndarë.
Kjo frymë e re politike, e krijuar së fundmi, jep shpresë se përmes bashkërendimit të politikës shqiptare në Luginën e Preshevës dhe koordinimit me Kosovën e Shqipërinë, çështjet tona të përbashkëta, veçanërisht ato që kërkojnë zgjidhje nga shteti dhe qeveria në Beograd, do të mund të artikulohen më fuqishëm dhe të kenë mbështetjen e gjerë të shqiptarëve të Luginës së Preshevës kur jemi bashkë.
Kjo nënkupton që, më në fund, të gjitha partitë politike ta marrin mesazhin e vetë votuesve. Të respektohet parimi i fituesit, të respektohet secili dhe pesha e tij politike, por mbi të gjitha të kuptohet se në institucionet që kanë për qëllim përfaqësimin dhe politikëbërjen e komunitetit shqiptar, në vend të ndarjes duhet të zgjedhim bashkimin, në vend të urrejtjes bashkëpunimin dhe në vend të shpifjeve, punën e përbashkët.
Shpresoj që pikërisht kjo frymë të mbizotërojë edhe kësaj radhe. Të lihen pas inatet, hatërmbetjet dhe përplasjet e së kaluarës, e të gjitha partitë politike të bashkohen rreth një qëllimi të përbashkët. Sepse, siç thotë një thënie, “do të fillojmë t’i bashkojmë tokat atëherë kur t’i kemi bashkuar kokat.”
Këshilli Kombëtar Shqiptar mbetet organi më i lartë përfaqësues i shqiptarëve në Serbi. Së bashku me deputetët popullorë, është institucioni që artikulon, ngre dhe avokon për zgjidhjen e çështjeve që preokupojnë komunitetin shqiptar dhe Luginën e Preshevës.
Nga arsimi te zhvillimi, nga përfaqësimi në institucione te informimi, nga bashkërendimi me Kosovën e Shqipërinë te avokimi ndërkombëtar, të gjitha këto janë çështje që prekin drejtpërdrejt ose tërthorazi jetën e çdo shqiptari në Luginën e Preshevës. Prandaj, ato duhet të trajtohen bashkë. Pas vitesh ndarjesh e përçarjesh, është koha për bashkim e bashkëpunim.
Kjo nuk duhet të kuptohet apriori si nevojë për krijimin e një partie të vetme politike apo për zhdukjen e identiteteve politike të secilit. Për shembull, në zgjedhjet komunale, ku interesat e qytetarëve lidhen më shumë me shërbimet komunale, ka hapësirë dhe mundësi që secila parti të vazhdojë të ndjekë politikën dhe programin e saj.
Por, kur bëhet fjalë për çështjet politike që prekin shqiptarët si komunitet, për institucionet nga ku burojnë qëndrimet dhe kërkesat tona të përbashkëta ndaj shtetit, përbashkimi duhet të nënkuptojë një qasje uniforme strategjike ndaj diskriminimit shtetëror dhe problemeve me të cilat përballemi.
Autori është zyrtar në Këshillin Kombëtar Shqiptar
Pikëpamjet e shprehura në këtë tekst nuk paraqesin qendrimet e FOLonline .
COMMENTS