HomeAktuale

Rivotimi në Breznicë dhe Samolicë: A mund të ndryshojë rezultatin e zgjedhjeve për KKSH?

Komisioni Republikan i Zgjedhjeve (RIK) tashmë ka vendosur që më 22 nëntor të përsëriten zgjedhjet për Këshillin Kombëtar Shqiptar (KKSH) në dy ve

Mbahet seanca e Shtabit për Situata të Jashtëzakonshme
Rrokulliset vetura në rrugën Turi-Tërnoc
Të hënën në Preshevë: Po du me i kthy preshevarët “TEMAS”!

Komisioni Republikan i Zgjedhjeve (RIK) tashmë ka vendosur që më 22 nëntor të përsëriten zgjedhjet për Këshillin Kombëtar Shqiptar (KKSH) në dy vendvotime: vendvotimin 7 në Breznicë dhe vendvotimin 19 në Samolicë.

Pas këtij vendimi shtrohet një pyetje interesante: A mund të ndikojë rivotimi në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve, madje edhe në renditjen e katër listave që garuan më 8 nëntor?

Nëse nga rezultatet aktuale hiqen votat e këtyre dy vendvotimeve, renditja është kjo:

* PVD-AL – 4.558 vota

* LPD-PDSH – 4.063 vota

* APN – 2.769 vota

* PD-LR – 2.347 vota

Në aspektin teorik, rezultati mund të përmbyset në tërësi. Kjo vlen sidomos për garën ndërmjet dy listave të para, PVD-AL dhe LPD-PDSH, por edhe për pozitën e tretë dhe të katërt, ku APN dhe PD-LR kanë një diferencë relativisht më të vogël.

Megjithatë, në praktikë, një përmbysje e tillë duket më pak e mundshme. Duke marrë parasysh rezultatet e përgjithshme dhe numrin e votuesve në këto dy vendvotime, ndikimi më realist i rivotimit mund të jetë eventualisht në ndryshimin e mandatit të një anëtari të KKSH-së.

Aktualisht, ndarja e mandateve është: PVD-AL 10, LPD-PDSH 8, APN 6 dhe PD-LR 5.

Në dy vendvotime, mbi 1.600 votues me të drejtë vote

Sipas regjistrit të veçantë zgjedhor, në këto dy vendvotime janë gjithsej 1.631 qytetarë shqiptarë me të drejtë vote. Prej tyre, 901 në Samolicë dhe 730 në Breznicë.

Por sa prej tyre do ta shfrytëzojnë këtë të drejtë më 22 nëntor?

Përgjigjja mund të kërkohet edhe në rezultatet e zgjedhjeve të 8 nëntorit, kur në Samolicë votuan rreth 370 qytetarë, ndërsa në Breznicë rreth 270.

Në vendvotimin 19 në Samolicë, rezultatet ishin:

* LPD – 153 vota

* PD – 89 vota

* PVD – 60 vota

* APN – 68 vota

Ndërsa në vendvotimin 7 në Breznicë:

* PVD – 112 vota

* APN – 59 vota

* PD – 56 vota

* LPD – 40 vota

Dalja në votime, faktori vendimtar

Nëse merret për bazë pjesëmarrja e 8 nëntorit, kur në të dy vendvotimet votuan gjithsej rreth 640 qytetarë, vështirë të pritet një dalje dukshëm më e lartë në rivotim.

Megjithatë, kjo do të varet në masë të madhe nga mobilizimi që do të arrijnë të bëjnë subjektet politike. Secila prej katër listave do të ketë interes të angazhojë sa më shumë votues, pasi edhe një numër relativisht i vogël votash mund të ndikojë në raportin ndërmjet tyre.

Në fund, rivotimi në Breznicë dhe Samolicë mund të mos e ndryshojë domosdoshmërisht fituesin e zgjedhjeve, por mund të ketë rëndësi për përfaqësimin në KKSH dhe ndarjen përfundimtare të mandateve.

Mbetet të shihet se sa do të arrijnë partitë t’i mobilizojnë votuesit e tyre dhe nëse 22 nëntori do të sjellë ndonjë ndryshim në hartën politike të përfaqësimit shqiptar në KKSH.

COMMENTS