Dy të rinj shqiptarë nga Lugina e Preshevës pretendojnë se janë përballur me trajtim të papërshtatshëm nga autoritetet serbe në pikën kufitare Hor

Dy të rinj shqiptarë nga Lugina e Preshevës pretendojnë se janë përballur me trajtim të papërshtatshëm nga autoritetet serbe në pikën kufitare Horgosh, në hyrje të Serbisë, mëson FOLonline.
Sipas familjarëve, bëhet fjalë për një 35-vjeçar nga Tërnoci dhe një 33-vjeçar nga Bukuroci i Preshevës, të cilët jetojnë dhe punojnë përkohësisht në Zvicër. Ata po udhëtonin drejt vendlindjes për pushime kur, të enjten rreth orës 16:00, u ndaluan nga policia kufitare në vendkalimin Horgosh, në kufirin me Hungarinë.
Familjarët thonë se ndalimi zgjati rreth tre orë dhe se gjatë kësaj kohe ndaj tyre u ushtrua presion psikologjik përmes pyetjeve të shumta. Sipas të njëjtave burime, telefonat celularë të dy të rinjve janë kontrolluar me imtësi, me arsyetimin se po kërkoheshin fotografi ose materiale që lidhen me UÇK-në.
Po ashtu, ata pretendojnë se policët kanë bërë pyetje edhe për tema të tjera, përfshirë luftën, “terrorizmin”, paratë dhe drogën.
Pas rreth tre orësh, dy të rinjtë janë lejuar të vazhdojnë rrugën drejt vendlindjes pa asnjë masë të mëtejshme.
Familjarët pretendojnë gjithashtu se, para largimit, disa nga policët kanë marrë çokollata nga bagazhi i veturës me targa zvicerane me të cilën udhëtonin.
Deri në publikimin e këtij lajmi nuk ka pasur reagim zyrtar nga autoritetet serbe lidhur me këtë rast.
COMMENTS