Zëvendëskryeministri i parë në detyrë i Qeverisë së Kosovës, Besnik Bislimi, ka njoftuar sot për një çështje serioze që po pengon mbështetjen inst

Zëvendëskryeministri i parë në detyrë i Qeverisë së Kosovës, Besnik Bislimi, ka njoftuar sot për një çështje serioze që po pengon mbështetjen institucionale dhe arsimore për shqiptarët në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Sipas tij, banka pranuese në Serbi ka refuzuar tre herë radhazi transferin e mjeteve financiare në vlerë prej 304,511.16 euro, të destinuara për furnizimin me tekste shkollore, përkrahjen e aktiviteteve ndërkombëtare të avokimit dhe funksionimin e Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSH).
“Kjo nuk është çështje teknike, por një model i qëllimshëm administrativ që synon të pengojë mbështetjen e ligjshme dhe transparente për komunitetin shqiptar në Luginë,” – ka theksuar Bislimi.
Ai bëri të ditur se të gjitha provat dokumentare janë dorëzuar në Bashkimin Evropian, përfshirë komunikimet SWIFT dhe dokumentacionet zyrtare.
Aktualisht, 3,650 nxënës shqiptarë në Luginë po përdorin 35,448 tekste shkollore të financuara nga Qeveria e Kosovës, pas kërkesës zyrtare të KKSH-së.
Reagime nga përfaqësuesit shqiptarë
Deputeti Shaip Kamberi e cilësoi këtë rast si dëshmi se diskriminimi ndaj shqiptarëve në Serbi është “sistematik dhe i organizuar”.
“Refuzimi i tri transfertave për pagesën e librave nuk është gabim bankar, por një metodë e qëllimshme për të bllokuar mbështetjen për komunitetin tonë. E njëjta logjikë është ndjekur edhe me anulimin e vendimit për subvencionet bujqësore,” – tha Kamberi.
Ai shtoi se njoftimi i Bislimit e zhvendos çështjen “nga plani teknik në planin ndërkombëtar”, duke e vënë në fokus të Bashkimit Evropian dhe përfaqësuesit të tij të posaçëm, Peter Sørensen.
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, e quajti bllokimin e fondeve “sulm të drejtpërdrejtë ndaj përfaqësimit institucional të shqiptarëve në Luginë”.
“Mjetet e bllokuara kanë qenë të dedikuara posaçërisht për KKSH-në, sipas kërkesës sonë zyrtare dhe vendimit të rregullt të Qeverisë së Kosovës. Ky është bllokim i funksionimit të institucioneve tona dhe i të drejtave të komunitetit shqiptar,” – deklaroi Rexhepi.
Ai theksoi se KKSH-ja do të vazhdojë bashkëpunimin me Prishtinën, Tiranën dhe partnerët ndërkombëtarë për ta ngritur këtë çështje në instanca më të larta politike.
Kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, tha se bllokimi i fondeve është një “akt politik dhe administrativ” që cenon të drejtat e shqiptarëve.
“Kjo çështje bëhet edhe më e ndjeshme kur në thelb të saj qëndrojnë fëmijët, arsimi dhe librat shkollorë – fusha që duhet të jenë të shenjta e të paprekshme nga çdo kalkulim politik,” – theksoi Pajaziti.
Ai i bëri thirrje institucioneve të Serbisë që të ndërhyjnë urgjentisht për zhbllokimin e mjeteve, duke paralajmëruar se në të kundërt “angazhimi i faktorit ndërkombëtar do të jetë i pashmangshëm”.
Ndërkaq, Shqiprim Musliu, kryetar i Lëvizjes për Progres Demokratik (LPD), reagoi me tone të ashpra duke e quajtur veprimin e Serbisë “akt të turpshëm”.
“Ky shtet po godet më të pafajshmit – fëmijët shqiptarë që duan të mësojnë në gjuhën e tyre amtare. Serbia vajton për serbët në Kosovë, ndërsa diskriminon brutalisht shqiptarët autoktonë të Luginës,” – deklaroi Musliu, duke kërkuar reagim nga faktori ndërkombëtar.
Konteksti
Në vitin 2022, gjatë kohës kur Ragmi Mustafi udhëhiqte me KKSH-në, Ministria e Arsimit e Serbisë kishte lejuar përdorimin e rreth 80 titujve të librave shkollorë për ciklin fillor në shkollat e Luginës, pas një sërë bisedimesh dhe përfshirjes së faktorit ndërkombëtar.
Në atë kohë ishte premtuar edhe lejimi i teksteve për arsimin e mesëm, por deri më sot, ky premtim nuk është realizuar.
Deri në momentin e publikimit, autoritetet e Serbisë nuk kanë dhënë ndonjë shpjegim zyrtar për bllokimin e transfertave financiare, që përfaqësuesit shqiptarë e cilësojnë si “pengesë të qëllimshme dhe të koordinuar” ndaj institucioneve të tyre legjitime në Luginë.
COMMENTS