Vendimi i vitit të kaluar i Qeverisë së Kosovës dhe aprovimi në Kuvend për pikën e veçantë buxhetore për Luginën në vlerë prej dy milionë euro, ak
Vendimi i vitit të kaluar i Qeverisë së Kosovës dhe aprovimi në Kuvend për pikën e veçantë buxhetore për Luginën në vlerë prej dy milionë euro, akoma nuk ka gjetur zbatimin në terren.
Së fundmi, përfaqësues institucional dhe politik të këtij rajoni, qoftë përmes formave direkte apo indirekte, kanë kërkuar transferimin e këtyre mjeteve duke e paraqitur si nevojë emergjente për të sanuar gjendjen në sfera të ndryshme.
Bashkë me kërkesat, janë shtuar edhe zërat të cilat paraqesin arsyet, sipas të cilave, ekzekutivi kosovar po heziton t’i kryejë „obligimet“ buxhetore ndaj Luginës.
Nexhat Behluli nga Rtv Spektri, e që shpesh herë është në fokus të mediave qëndrore në Prishtinë dhe Beograd kur janë në pyetjet raportet Kosovë-Serbi, thekson se ka disa shkaqe përse nuk po vie deri tek bartja dhe destinimi final i mjeteve në fjalë.
Sipas tij, ka dy arsye të ndryshme, njëra ka të bëjë me komunën e Preshevës dhe tjetra me atë të Bujanocit dhe Medvegjës.
„Sipas informacioneve jozyrtare që unë i kam, transferin e 2 milionë euro të premtuara nga Kosova po e saboton ministri i Qeverisë Kurti, Liburn Aliu, që ka urrejtje ndaj kryetarit të Preshevës Shqiprim Arifi, ndërsa komunën e Bujanocit dhe Medvegjës po e mbanë peng donacioni i mëparshëm prej 200 mijë euro gjatë Qeverisë „Kurti 1“, përkatësisht jotransparenca e harxhimit të mjeteve që u dedikuan lidhur me sanimin e pasojave të pandemisë, thekson Behluli.
Madje, Behluli propozon që transferimi i mjeteve të bëhet edhe përmes formave tjera e që nuk kanë karakterin institucional e politik.
„Kam ofertë të sinqertë vëllazërore për Qeverinë e Kosovës dhe Kryeministrin Kurti, nëse vërtetë keni qëllim serioz ta ndihmoni Luginën e Preshevës, e keni në dispozicion “FONDACIONIN SPEKTRI DHE MIQTË” i cili është i regjistruar ligjërisht për pranimin e transfereve finansiare nga Kosova“, potencon ai.
Për këtë qëllim, Behluli thotë se do t’i kishte ofruar në shërbim edhe hapësirat e tij, siç janë zyret, objektet, etj, por edhe logjistikën tjetër përcjellëse e deri te përkrahja mediale për hirë të transparencës.
„Qeverisë do t’i mjaftonte vetëm të dërgojë personelin për të mbikqyrur donacionin“, sqaron Behluli.
Në fund, Behluli thekson se të gjithë këtë punë do ta bënte pa asnjë lloj kompenzimi por vetëm në të mirën e përgjithshme të Luginës.
COMMENTS