HomeEditorial

Analiza e redaktorit: Ndërrimi i pronave midis serbëve të Kosovës dhe shqiptarëve të Luginës

Veriu i Kosovës nuk është si më parë. Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Albin Kurti gati se e ka shtrirë në tërësi sovranitetin në 1000 m² e te

Pas takimeve me SNS-in, Pajaziti kërkon nga Arifi ta sqaroj pozicionin negociues
Familja e Lleshit nuk ishte prezente në akademinë përkujtimore, a ishte kjo pasojë e koalicionit në KKSH?
Mustafi përgjigjet rreth konkursit për mjetet e Kosovës

Veriu i Kosovës nuk është si më parë.

Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Albin Kurti gati se e ka shtrirë në tërësi sovranitetin në 1000 m² e territorit të katër komunave veriore i cili për 25 vjet shihej si de fackto pjesë e Serbisë.

Gjatë këtyre viteve, shumë më tepër kishte aromë Serbie në Mitrovicë veriore, Zveçan, Leposaviq e Zubin Potok se sa psh në Çaçak, Kralevë apo Zajeçar.

Pikë kthese në krijimin e një realiteti të ri padyshim që ishte rasti „Banjska“ i shtatorit të vitit 2023.

Koha do të tregoj nëse vërtetë ky ishte një aksion i dështuar i një grupi terrorist apo ishte një kurth mirë i përgatitur nga shërbimet e huaja të intelegjencës, me pjesëmarrjen edhe të vet kreut të shtetit serb.

Madje edhe në aktakuzën e sapongritur nga Prokuroria e Kosovës nuk ka shumë qartësi për mënyrën e funksionit dhe „urdhërdhënësit“ e grupit të udhëhequr nga Millan Radoiçiq.

Përmendja e njëfar plani „ për zhvendosjen e serbëve nga veriu në Sanxhak“ nga dyshja Nenad Çanak dhe Sonja Biserko le përshtypjen se Serbia ka vëndosur të heq qafe nga praktika çështjen e Kosovës dhe ta përdorë atë vetëm si element teorik për konsum të brendshëm politik, siç është rasti me shpalljen si „territor të okupuar“.

Por çfarë të duhet një „territor i okupuar“ kur nuk ke popullatë tënde atje?

Presidenti i Serbisë, shpesh ka përmendur një realitet të ri me deklaratat se „ nuk mund të pretendosh të ketë Serbi në Kaçanik, Malishevë, Skenderaj… „, me një fjalë aty ku nuk ka më serbë.

Por çfarë do të thonë liderët shtetërorë të Serbisë kur pas ca vitesh nuk mund të ketë serbë në Mitrovicë, Zubin Potok, Zveçan…?

Gjërat mund të ndryshojnë në mënyrë drastike edhe pas 9 shkurtit të vitit 2025.

Nëse Albin Kurti korrë fitore bindëse, është „sekret publik“ se në mandatin e ardhshëm katër vjeçar do t’i qaset ndryshimit të Kushtetutës.

Shtrohet pyetja se me një përqindje aq të ulët në popullatën e përgjithshmë a do t’i mund t’i gëzojnë serbët e mbetur privilegjet e njejta si deri më tash?

Të gjitha këto zhvillime do të reflektohen edhe tek shqiptarët në Luginë.

Serbia më nuk ushtron dhunë fizike si në kohën e Millosheviqit por me metoda më perfide punon për ta zbrazur Luginën.

Kjo agjendë me gjasë realizohet më së lehti me mungesë të perspektivës.

Vetëm nëse marrim një sektor të rëndësishëm, atë të arsimit, mund të parashikojmë ardhmërinë e Luginës.

Kur kemi parasysh rënien drastike të numrit të nxënësve, brenda pak vitesh gjysma e kuadrit arsimor mund të ngelin tepricë teknologjike.

Paramendoni se çfarë mund të ndodhë brenda familjeve që kanë të hyra nga njëri ndër sektorët me të paguar publik!

Kur humb perspektiva si dhe privilegjet në të dyja anët e kufirit, nga dy bashkësi të ndryshme etnike, atëherë në konsideratë futen zgjidhje të ndryshme, e për kohën ndoshta të domosdoashme.

Shumica e familjeve nuk e kanë mundësinë të kenë prona në të dyja shtetet andaj do të jenë të detyruara të bëjnë zgjidhje tjera.

Në fakt, mund të përësiretet modeli i serbëve të Kroacisë dhe kroatëve të Vojvodinës.

Pasi Kroacia në vitet 1995-1996 shtriu sovranitetin në tërë territorin e sajë, me mijëra familje kanë ndërruar pronat.

Bile ka pasur edhe thirrje publike për veprime të këtilla. Më i zëshmi në këtë drejtim ka qenë lideri i radikalëve serbë, Vojisllav Sheshelj.

I njejti, ka qenë ndër të parët që ka blerë pronën e një kroati të fshatit Hrtkovci të Vojvodinës.

Sot, kemi ndyshim drastik të demografisë në Vojvodinë dhe në Kroaci, me theks të veçantë në Sllavoninë lindore, Sremin perëndimor dhe në Baranjë.

Mungesa e perspektivave për serbët e mbetur në Kosovë dhe shqiptarët në Luginë a mund ta vë në opcion skenarin e ngjashëm?

Dëshmitarin më të mirë do ta kemi kohën, edhe atë shumë shpejt.

Për ata që e donë vendlindjen shenjat nuk janë aq të mira.

Në hapësirat e ish Jugosllavisë mëse 3 milionë banorë nuk jetojnë në vendin ku kanë lindur…

COMMENTS