HomeNë fokus

Konstituohet Kuvendi i Serbisë, deputetët shqiptarë abstenojnë në votimin për kryetarin

Pas tri ditësh diskutimesh, Kuvendi i Republikës së Serbisë është konstituuar, ndërsa deputetët shqiptarë kanë abstenuar gjatë votimit për zgjedhj

Kamberi me kritika për pozitën e pakicave
Drejtuesit e pushtetit lokal përgëzojnë fituesin e BU CUP 2021
Unioni Demokratik Shqiptar pjesë e Listës “Alternativa Demokratike Shqiptare “

Pas tri ditësh diskutimesh, Kuvendi i Republikës së Serbisë është konstituuar, ndërsa deputetët shqiptarë kanë abstenuar gjatë votimit për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, pavarësisht paralajmërimit të një dite më parë nga deputeti Shaip Kamberi se do ta mbështesnin kandidatin Aleksandar Çupiq.

Ky qëndrim përbën një ndryshim nga deklarimi i një dite më parë, ndërsa arsyet e abstenuimit nuk janë sqaruar ende.

Konstituimi i legjislaturës së re shënon një zhvillim të rëndësishëm edhe për përfaqësimin politik të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, të cilët, pas gjashtë vitesh, do të kenë më shumë se një deputet në parlamentin serb.

Deputeti Visar Memeti, i cili për herë të parë do të jetë pjesë e Kuvendit të Serbisë, e ka cilësuar këtë moment si një përgjegjësi të veçantë politike dhe institucionale.

“Sot, pas tri ditë diskutimesh, është konstituuar Kuvendi i Republikës së Serbisë, duke shënuar një moment të rëndësishëm politik, edhe për shqiptarët e Luginës së Preshevës”, ka shkruar Memeti.

Ai ka theksuar se mandatin e deputetit e konsideron mbi të gjitha si përgjegjësi për përfaqësimin e interesave të shqiptarëve.

“Do të jem zëri i shqiptarëve të Luginës së Preshevës, zëri i shqetësimeve, kërkesave dhe të drejtave të tyre, pa dallim politik apo partiak”, ka deklaruar Memeti.

Deputeti shqiptar ka shprehur gjithashtu gatishmërinë për të nisur angazhimin parlamentar, duke theksuar se synimi i tij është që mandatin ta vendosë në shërbim të drejtpërdrejtë të qytetarëve që përfaqëson.

Sipas rezultateve zyrtare të votimit, Aleksandar Çupiq, kandidat i Listës Studentore, është zgjedhur kryetar i Kuvendit me 140 vota, ndërsa kundërkandidati i tij, Stojan Radenoviq, i propozuar nga lista “Aleksandar Vuçiq – Serbia fiton”, ka marrë 97 vota. Nga gjithsej 239 deputetë që morën pjesë në votim, dy kanë abstenuar.

Mediat serbe kanë konfirmuar se njëri prej dy deputetëve që abstenuan ishte Shaip Kamberi, përfaqësues i Koalicionit Shqiptar.

Zgjedhja e Çupiqit në krye të parlamentit vjen pas tri ditësh debatesh ndërmjet përfaqësuesve të shumicës së re parlamentare dhe opozitës.

Pas zgjedhjes, Çupiq ka bërë thirrje për rikthimin e dinjitetit të Kuvendit, duke theksuar rëndësinë e dialogut, tolerancës dhe respektimit të të gjithë deputetëve, pavarësisht përkatësisë së tyre politike.

Me konstituimin e Kuvendit, tashmë ka filluar edhe afati prej 90 ditësh për formimin e Qeverisë së re të Serbisë.

COMMENTS