Kryeministri Albin Kurti ka kërkuar nga komisioneri i lartë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE
Kurti ka shkruar në Facebook se në një takim që ka zhvilluar me Kampin, ka diskutuar për të drejtat e komuniteteve, përdorimin e gjuhës dhe qasjen në arsim e shërbime publike si dhe për zbatimin e ligjit në mbrojtje të pronës publike, mjedisit dhe burimeve ujore.
Ai ka thënë se themeli i Republikës së Kosovës është barazia para ligjit. Ka theksuar se Kushtetua e Kosovës në shumë aspekte u garanton komuniteteve joshumicë të drejta përtej standardeve evropiane. Në këtë rast ai ka kujtuar se përderisa në Kosovë ka liri të të drejtave për komunitetet, në Serbi po bëhet diskriminim ndaj shqiptarëve.
“Kushtetuta e Republikës së Kosovës garanton të drejta të gjera për komunitetet joshumicë, në shumë aspekte përtej standardeve evropiane të mbrojtjes. Këto garanci duhet të gjejnë shprehje të plotë në jetën institucionale e shoqërore, përmes angazhimit aktiv të pjesëtarëve dhe përfaqësuesve të tyre, në respektim të ligjeve në fuqi. Mbrojtja e të drejtave dhe zbatimi i ligjit e përforcojnë njëra-tjetrën; përkatësia nuk mund të jetë bazë as për cenimin e të drejtave, as për përjashtimin nga detyrimet ligjore. Ngrita shqetësimin për diskriminimin sistematik të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë nga autoritetet e Serbisë, përmes pasivizimit të adresave, pengesave në arsim dhe nënpërfaqësimit në institucionet publike. Kërkova angazhim të drejtpërdrejtë dhe ndjekje konkrete të këtyre çështjeve: Serbia duhet të përmbushë standardet evropiane për mbrojtjen e komuniteteve, të garantojë barazi reale për shqiptarët dhe të respektojë të drejtat e njeriut e ato civile. Të drejtat e tyre nuk mund të mbeten peng i vullnetit politik të një sistemi autokratik”, ka shkruar ai në Facebook.
Kurti në fund ka thënë se Qeveria do të vazhdojë bashkëpunimin me zyrën e Kampit “me bindjen që të drejtat e komuniteteve joshumicë dhe sundimi i ligjit janë obligime komplementare dhe jo parime që garojnë me njëra-tjetrën”.

COMMENTS