HomeNë fokus

KKSH kërkon rikthimin e programit të policisë multietnike dhe rritjen e përfaqësimit të shqiptarëve

Këshilli Kombëtar Shqiptar ka kërkuar sot në Beograd rikthimin e programit të policisë multietnike, rritjen e përfaqësimit të shqiptarëve në polici

Aksident në hyrje të Tërnocit, një person i lënduar (foto&video)
Zvogëlohen të ardhurat e anëtarëve të Këshillit Komunal në Preshevë
Roth: Serbia po diskriminon pakicën shqiptare, spastrimi etnik i tyre është krim

Këshilli Kombëtar Shqiptar ka kërkuar sot në Beograd rikthimin e programit të policisë multietnike, rritjen e përfaqësimit të shqiptarëve në polici dhe angazhimin e drejtpërdrejtë të Komisarit të Lartë të OSBE-së për Pakicat Kombëtare në adresimin e çështjes së pasivizimit të adresave.

Këto kërkesa u paraqitën nga përfaqësuesi i KKSH-së, Alban Alili, gjatë një konference ndërkombëtare të organizuar nga Misioni i OSBE-së, Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë dhe Zyra e Komisarit të Lartë për Pakicat Kombëtare.

Konferenca shënoi 20-vjetorin e rekomandimeve për punën e policisë në shoqëritë multietnike.

Alili theksoi se, pavarësisht marrëveshjeve dhe zotimeve për integrimin e shqiptarëve, përfaqësimi i tyre në polici ka shënuar rënie të ndjeshme.

Sipas të dhënave të përmbledhura në raportin e KKSH-së, nga 239 policë shqiptarë të evidentuar gjatë viteve 2010–2012, numri ka rënë në 152, sipas një vlerësimi jozyrtar për fundin e vitit 2025. Vetëm në Bujanoc, numri i policëve shqiptarë ka rënë nga 107 në 56.

KKSH ka paralajmëruar se pensionimi i gjeneratës së punësuar përmes programit të policisë multietnike, pa rekrutime të reja, mund ta zvogëlojë edhe më tej përfaqësimin e shqiptarëve në polici.

Për këtë arsye, është kërkuar që përfaqësimi proporcional të përfshijë edhe pozitat drejtuese dhe policinë kufitare, në përputhje me rekomandimet e Komisarit të Lartë.

Në konferencë është ngritur edhe çështja e përdorimit të gjuhës shqipe në komunikimin me policinë, mungesës së përkthyesve profesionistë dhe nevojës për krijimin e vendeve të sistematizuara të punës për përkthyes në Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë.

Një pjesë e veçantë e kërkesave iu kushtua pasivizimit të adresave. Duke iu drejtuar Komisarit të Lartë, Alili kërkoi përfshirjen e tij të drejtpërdrejtë në këtë çështje, si dhe shqyrtimin e pavarur të rasteve të kontestuara, korrigjimin e vendimeve të padrejta dhe rikthimin e të drejtave të cenuara.

KKSH vlerësoi pozitivisht bashkëpunimin me OSBE-në dhe Drejtorinë për Trajnimin Policor për takimet me të rinjtë shqiptarë gjatë muajit qershor, duke kërkuar që këto aktivitete të vazhdojnë me përgatitjen e kandidatëve dhe pranime konkrete të shqiptarëve në polici.

“Pas një çerek shekulli marrëveshjesh dhe njëzet vjetësh rekomandime, shqiptarët kanë të drejtë të presin rezultate konkrete”, u shpreh Alili.

COMMENTS