HomeEditorial

Fjala e redaktorit: Në adresë të duhur

Se e kishte seriozisht me ne, nisi të dëshmohej gjatë pandemisë së COVID-19. Ende pa u akomoduar mirë në mandatin e parë të qeverisjes së tij,

Vizioni i “Bacit”
Kryetari i KKSH organizon pritje për Ditën e Mêsuesit
Kamberi takim me kongresistin amerikan Lawler

Se e kishte seriozisht me ne, nisi të dëshmohej gjatë pandemisë së COVID-19.

Ende pa u akomoduar mirë në mandatin e parë të qeverisjes së tij, Albin Kurti u angazhua edhe për Luginën. Donacioni prej mijëra eurosh ishte i prekshëm për të gjithë ne në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Se në situata të tilla nuk shikohet përkatësia etnike, këtë e dëshmoi vetë shpërndarja e mjeteve. U blenë vetura të ndihmës së shpejtë që ishin në dispozicion të të gjithë pacientëve, u siguruan nevoja sanitare, pajisje mjekësore, u dhanë mjete materiale për OJQ-të, etj.

Në mandatin e dytë të qeverisjes së tij, kryeministri Albin Kurti, i cili doli të jetë njeriu më i votuar në historikun e demokracisë kosovare, e bëri realitet kërkesën e kahmotshme të shqiptarëve të Luginës për krijimin e Fondit të Veçantë për ndihmë bashkëkombësve.

Si rrjedhojë, nxënësit u pajisën me libra falas, studentët me bursa, organizatat e shoqërisë civile realizuan projekte etj. Dhe me kalimin e viteve, ky fond sa vinte e shtohej.

Është çështje tjetër dobësia jonë këtu për ta realizuar në plotni dhe për ta menaxhuar fondin, por edhe pengesat që i krijon shteti serb.

Përveç mjeteve materiale, kryeministri Kurti nuk ka reshtur së lobuari në instancat ndërkombëtare për Luginën. Temat tona kanë qenë në agjendat e Brukselit, Berlinit, Washingtonit etj. Madje, Qeveria e Kosovës në disa raste ka sponsorizuar edhe fushatat lobuese të vetë delegacioneve nga Lugina.

Nëse ndokush angazhohet për reciprocitet midis pozitës së serbëve në Kosovë dhe shqiptarëve në Luginë, është pikërisht Albin Kurti.

Nëse rezultatet e matshme duhet të preken, atëherë, pa asnjë mëdyshje, këto kanë ndodhur nën qeverisjen e kryeministrit Albin Kurti.

Andaj, çdo nevojë politike e Luginës është domosdoshmëri të koordinohet me të. Ne nuk kemi kapacitete e as njohuri të bollshme për ta ngritur çështjen tonë në të tilla nivele, çfarë e bën kryeministri i Kosovës.

Edhe pse ka shumë akuza për ndërhyrjen e Kurtit në Luginë dhe nxitjen e përçarjeve, këto janë elemente vetëm në shërbim të politikës ditore. Fundja, edhe nëse është gabim, shumë më mirë është të gabojë kryeministri i Kosovës sesa ne. Vogëlsia jonë nuk na jep luksin e vendimeve apo përzgjedhjeve në raste të caktuara.

Edhe marrëveshja e fundit është dëshmi e angazhimit të nevojshëm të njeriut të parë të ekzekutivit kosovar.

Dhe kjo është adresa e duhur.

Përfaqësimi shqiptar i Luginës, në çfarëdo niveli, duhet ta marrë vulën e kryeministrit të Kosovës, edhe nëse nuk është ai Albini.

Është fakt se jetojmë në demokraci, por autonomia jonë përfaqësuese dhe vendimmarrëse duhet të jetë e kufizuar kur kemi të bëjmë me disa kauza. Dhe këtu jemi me fat se kemi njeriun e duhur në kohën e duhur. Ai e bën këtë më së miri.

Nuk i ngjan aspak metodave që përdorin kolegët e tij në rajon. Presidenti i Serbisë dikur tubonte përfaqësuesit e serbëve të Kosovës në Rashkë për t’u koordinuar dhe për të marrë detyra.

Por Albin Kurti nuk bën gabime të tilla. Ai nuk ia toleron vetes që përfaqësuesit e Luginës t’i thërrasë, për shembull, në Rogaçicë. Ai përdor metoda më transparente, legjitime dhe ligjore.

Ai la një zyrë për të cilën me dhjetëra herë e ka potencuar se është e hapur për Luginën.

Pa përjashtuar edhe Tiranën, dera jonë e parë është në sheshin e Prishtinës, në një ndërtesë të kaltër. Mu aty është dhe duhet të orientohet vendimmarrja jonë.

Neve nuk na përkasin fërkimet politike në Kosovë. Ne në asnjë mënyrë nuk dëshirojmë të bëhemi pjesë e divergjencave politike atje. Për ne ka vetëm një adresë.

Si ajo e mbrëmshmja.

 

 

COMMENTS