Ministri në mandat teknik për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave dhe Dialogun Shoqëror, Demo Berisha, ka shpallur sot zgjedhjet për anëtarët e kës
Ministri në mandat teknik për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave dhe Dialogun Shoqëror, Demo Berisha, ka shpallur sot zgjedhjet për anëtarët e këshillave kombëtare të pakicave kombëtare, të cilat do të mbahen më 8 nëntor 2026.
Në zgjedhje do të marrin pjesë pjesëtarët e 23 pakicave kombëtare.
Ministria për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave dhe Dialogun Shoqëror më 16 shtator ka mbyllur përkohësisht listat e veçanta zgjedhore dhe ka konstatuar se 21 pakica kombëtare i kanë plotësuar kushtet për zgjedhje të drejtpërdrejta.
Në mesin e tyre janë pakicat shqiptare, ashkalinjtë, boshnjakët, bullgarët, bunjevcët, vllehët, grekët, egjiptianët, hungarezët, maqedonasit, gjermanët, polakët, romët, rumunët, rusinët, sllovakët, sllovenët, ukrainasit, kroatët, malazezët dhe çekët.
Ndërkaq, pjesëtarët e pakicës gorane dhe ruse do t’i zgjedhin përfaqësuesit e tyre përmes kuvendeve elektorale.
Pas nënshkrimit të vendimit për shpalljen e zgjedhjeve, Berisha tha në një konferencë për media në Pallatin e Serbisë se këshillat kombëtare paraqesin një formë të rëndësishme të vetëqeverisjes së pakicave dhe kanë kompetenca në fushën e kulturës, arsimit, informimit dhe përdorimit zyrtar të gjuhës dhe shkrimit.
Ai u bëri thirrje pjesëtarëve të pakicave kombëtare që të regjistrohen në listën e veçantë zgjedhore, në mënyrë që të mund ta shfrytëzojnë të drejtën për të marrë pjesë në zgjedhje, të kandidohen dhe të zgjedhin anëtarët e këshillit kombëtar të pakicës së tyre.
Dokumentacioni i nevojshëm për zgjedhjet përmes kuvendeve elektorale do të jetë në dispozicion në faqen e Ministrisë për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave dhe Dialogun Shoqëror, ndërsa dokumentacioni për zgjedhjet e drejtpërdrejta në faqen e Komisionit Republikan të Zgjedhjeve.
Zgjedhjet e rregullta për anëtarët e këshillave kombëtare të pakicave mbahen çdo katër vjet, aq sa zgjat mandati i një përbërjeje të këshillit kombëtar sipas Ligjit për Këshillat Kombëtare të Pakicave Kombëtare.

COMMENTS