Zgjedhjet për këshillat kombëtare të pakicave kombëtare në Serbi sipas të gjitha gjasave pritet të mbahen më 8 nëntor, bëjnë të ditur për FOLonlin

Zgjedhjet për këshillat kombëtare të pakicave kombëtare në Serbi sipas të gjitha gjasave pritet të mbahen më 8 nëntor, bëjnë të ditur për FOLonline burime në Beograd.
E drejta e votës për zgjedhjet e drejtpërdrejta për Këshillin Kombëtar Shqiptar do të jetë e lidhur me regjistrimin në Regjistrin e Posaçëm Zgjedhor. Ky regjistër është evidencë e veçantë e votuesve që duan të marrin pjesë në zgjedhjet për këshillin e komunitetit të tyre kombëtar.
Këshillat kombëtare kanë mandat katërvjeçar dhe përmes tyre pjesëtarët e komuniteteve kombëtare ushtrojnë të drejta në fushën e kulturës, arsimit, informimit dhe përdorimit zyrtar të gjuhës dhe shkrimit.
Në rastin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, përbërja aktuale nuk është zgjedhur përmes votimit të drejtpërdrejtë të qytetarëve, por përmes një kuvendi elektoral. Kjo erdhi pasi procesi i konstituimit të KKSH-së të zgjedhur me vota direkte kishte dështuar, si pasojë e mosmarrëveshjeve ndërmjet subjekteve politike shqiptare.
Për zgjedhjet e ardhshme, KKSH pritet të ketë një përbërje prej 29 anëtarësh, nga 15 sa ka aktualisht. Rritja e numrit lidhet me të dhënat e regjistrimit të fundit të popullsisë dhe përbërjen numerike të komunitetit shqiptar. Regjistrimi i vitit 2022 evidentoi 61.687 shqiptarë në Serbi, ndërsa të dhënat zyrtare të regjistrimit përdoren edhe për përcaktimin e përfaqësimit të komuniteteve.
Zgjedhjet e nëntorit pritet të përcaktojnë kështu edhe përbërjen e re të institucionit më të lartë përfaqësues të komunitetit shqiptar në Serbi.
COMMENTS