HomeEditorial

Analiza e redaktorit: Beteja e brendshme e PVD-së

Ditë më parë kanë filluar të publikohen shkrime dhe fotografi të cilat dërgojnë sinjale se subjektet politike të Bujanocit po bëhen gati për zgjed

Përshtypjet e kryetarit të KKSH-së për festivalin „Mirëdita-Dobar dan“
Takimi Arifi-Aliu: Presim ndryshime pozitive për Luginën
Kamberi dhe Lutfiu për vizitë lobuese në Berlin

Ditë më parë kanë filluar të publikohen shkrime dhe fotografi të cilat dërgojnë sinjale se subjektet politike të Bujanocit po bëhen gati për zgjedhjet lokale që pritet të mbahen këtë pranverë.

Nuk ka dyshim se interesim të opinionit ka sidomos për zhvillimet përbrenda Partisë për Veprim Demokratik-PVD, si subjekt më i vjetër politik në këto treva.

Që nga themelimi, në PVD ka patur gjithnjë konkurrencë kuadrosh për pozita në kuadër të partisë, ndërsa nga viti 2002 edhe për vet pushtetin lokal.

Edhe kësaj here, ky subjekt politik pritet të ballafaqohet me një garë të brendshme, në radhë të parë, për kandidatin për kryetar komune.

Me afrimin e fushatës zgjedhore kanë filluar të dalin në sipërfaqe edhe figurat brenda PVD-së të cilat synojnë nominimin partiak për pozitën e njeriut të parë të komunës.

Kryetari i Degës së Bujanocit dhe ish kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar-KKSH, Ragmi Mustafi, është njëri nga pretendentët, ndërsa emri i tij është lakuar sidomos pas zgjedhjeve të KKSH-së.

Në PVD thonë se Mustafi është kandidat i padiskutueshëm nga momenti kur sakrifikoi rizgjedhjen në krye të KKSH-së duke i lëshuar rrugë një koalicioni të zgjeruar me qëllim të mos shuarjes së institucionit reprezentativ të shqiptarëve.

Edhepse i emëruar si këshilltar politik i zv/kryeministrit të parë të Qeverisë së Kosovës, Besnik Beslimi, për Mustafin thuhet se më përpara pranon kandidaturën, dhe nëse fiton, pozitën e kryetarit të komunës së Bujanocit se sa rolin e tij në ekzekutivin kosovar.

Kandidati tjetër që synon  kandidaturën për kryetar komune është Enver Ramadani, kryetari aktual i Kuvendit Komunal të Bujanocit.

Edhepse pretendimin e tij nuk e ka shfaqur shumë publikisht deri më tash, për Ramadanin thuhet të jetë një kandidat mjaft serioz në PVD.

Ai ishte njëri nga opsionet edhe në zgjedhjet e vitit 2020 por në fund kandidatura i takoi Driton Rexhepit.

Pa marrë parasysh se ka dy pretendues që synojnë një kandidaturë, në PVD akoma nuk ka nisur të bëhet shumë “zhurmë” për opsionet e mundshme, të paktën jo në forumet partiake.

Megjithatë, ky muhabet është pjesë e pandashme e kuloareve politike të Bujanocit.

Në shikim të parë duket se më i favorizuari në këtë betejë të brendshme është Ragmi Mustafi. Madje, ka pohime se kryetari i PVD-së, Shaip Kamberi, atë po e “përkdhel” më tepër duke e shfaqur në publik gjithnjë pranë vetes.

Por, njerëzit e afërt me Kamberin demantojnë këto supozime.

Ata thonë se kreu i subjektit vepron në baza statutare dhe se pjesëmarrja e Mustafit në evente të ndryshme është pasojë e funksionit partiak të cilin ai e ushtron, në këtë rast të kryetarit të degës.

Në anën tjetër, për Enver Ramadanin thuhet se ka një këmbëngulësi për t’ju qasur garës së brendshme.

Ai reputacionin e vet mendohet ta ketë ngritur në bazë të përvojës së krijuar në pushtetin lokal por edhe nga familja e cila përveç traditës intelektuale shquhet edhe për afarizëm të suksesshën.

Ramadani supuzohet të ketë përkrahje evidente në strukturat partiake por nuk lihet anash edhe aktiviteti i tij lobues.

Në situatë kur ka dy figura të rëndësishme të cilat kanë shënuar dekadën e fundit brënda PVD-së së Bujanocit, është fakt se në pozitë të vështirë vihen njerëzit të cilët kanë bashkëpunuar me ta përgjatë këtyre viteve.

Krijimi i shoqërisë, miqësisë dhe lidhjeve të tjera, mendohet se do t’i vë në gjendje të palakmueshme struktuarat e PVD-së kur është në pyetje orientimi për njërin nga kandidatët.

Në siklet të madh do të vihet edhe vet kryetari i subjektit, Shaip Kamberi.

Njerëzit pranë tij e kanë të qartë këtë fakt. Megjithatë, ata thonë se Kamberit nuk do t’i mbetet gjë tjetër përveç se garën ta mbyll në kutinë e votimit.

Sipas tyre, Kamberi nuk do t’i hyj në hak asnjërit nga kandidatët dhe se me përpikmëri do t’i përmbahet statusit partiak duke i’a lënë në dorë forumeve të subjektit të vendosin për kandidatin e tyre të preferuar.

 

 

COMMENTS