Administrata Lokale e Bujanocit ka shpallur konkurs për punësimin e gjashtë kuadrove në dikastere të ndryshme, me marrëdhënie pune për kohë të pac

Administrata Lokale e Bujanocit ka shpallur konkurs për punësimin e gjashtë kuadrove në dikastere të ndryshme, me marrëdhënie pune për kohë të pacaktuar.
Sikurse edhe në të kaluarën, edhe këtë herë thuhet se konkurset janë vetëm sa për sy e faqe, pasi vendet e punës janë “rezervuar” shumë kohë më parë.
Ajo që bie më shumë në sy është se në Bujanoc vazhdon të përmendet i ashtuquajturi çelës etnik i punësimit.
Për konkursin aktual, jozyrtarisht thuhet se nga gjashtë pozitat, tri janë të rezervuara për shqiptarët, dy për serbët dhe një për komunitetin rom.
Në parim, në vendet demokratike, përkatësia etnike nuk duhet të jetë fare temë diskutimi në konkurset për punësim. Në konsideratë merren kandidatët që i plotësojnë kriteret dhe ata që dëshmojnë aftësitë më të mira.
Por në Bujanoc kemi një problem tjetër.
A mos vallë, gjatë viteve të fundit, nuk ka pasur asnjë shqiptar apo shqiptare mjaftueshëm të aftë për t’u punësuar në ndonjë institucion shtetëror, qoftë edhe me shtrirje lokale?
Ju kujtohen konkurset për gjyqtarë, prokurorë apo policë?
Po dhjetëra të punësuarit në Spitalin Rajonal të Vranjës? A kishte ndonjë shqiptar mes tyre?
Kur është punësuar shqiptari i fundit në Banjën e Bujanocit?
Po në Doganë? Madje, çfarë ndodhi me konkursin në Administratën Tatimore në Bujanoc?
Të paktën edhe një zjarrfikës shqiptar nuk u gjet? E ndoshta edhe dikush për Kryqin e Kuq?
Sipas praktikës së deritanishme dhe kësaj logjike, del se shqiptarët qenkan të paaftë për të punuar në institucionet shtetërore, ndërsa të tjerët posedojnë aftësi të jashtëzakonshme dhe janë gjithmonë të gatshëm të angazhohen pikërisht aty ku ka nevojë.
Ka ardhur koha që këto metoda diskriminuese të marrin fund njëherë e përgjithmonë.
E drejta për punë duhet të jetë e barabartë dhe në përputhje me përfaqësimin proporcional të garantuar me Kushtetutë në mjediset ku jetojnë komunitetet pakicë.
Nga ana tjetër, nevojitet reflektim i menjëhershëm i faktorit politik shqiptar, në të gjitha nivelet, qoftë në pushtet apo në opozitë, që t’i dalë përballë kësaj problematike.
Nëse vazhdohet me inatet dhe përçarjet e theksuara, pozita jonë vetëm sa do të përkeqësohet.
Çështja e punësimit të kuadrove nuk është çështje e posteve politike që shkojnë e vijnë. Ajo është çështje ekzistenciale për individin, familjen dhe, në fund të fundit, për gjithë komunitetin.
COMMENTS