HomePolitikë

Rexhepi për Platformë të unitetit politik në Luginë

Kryetari i Kuvendit Komunal të Bujanocit, Driton Rexhepi, ka publikuar një qëndrim politik lidhur me nevojën për unifikimin e faktorit shqiptar në Lug

Në Preshevë shënohet Dita Botërore e Refugjatëve
Shoqata nga Izmiri i Turqisë në KKSH
Koalicioni për Bujanocin vendoset në Tiranë ?

Kryetari i Kuvendit Komunal të Bujanocit, Driton Rexhepi, ka publikuar një qëndrim politik lidhur me nevojën për unifikimin e faktorit shqiptar në Luginën e Preshevës para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare dhe atyre për Këshillin Kombëtar Shqiptar. Në reagimin e tij, Rexhepi thekson se shqiptarët duhet të tejkalojnë ndarjet partiake dhe të ndërtojnë një platformë të përbashkët kombëtare, me synim përfaqësim më të fuqishëm institucional dhe politik. Ai propozon krijimin e një liste të vetme shqiptare për zgjedhjet parlamentare, si dhe një model të ri funksionimi për KKSH-në, të bazuar në bashkëqeverisje dhe rotacion proporcional. Më poshtë gjeni të plotë postimin e tij:

Nga Fragmentimi drejt Faktorizimit: Platforma e Unitetit Kombëtar për Shqiptarët e Luginës 🇦🇱

Të nderuar qytetarë,

Historia politike na mëson se popujt që nuk unifikohen në udhëkryqe ekzistenciale, dënohen të mbeten thjesht vëzhgues pasivë të fatit të tyre. Vjeshta e këtij viti po afron, dhe me të po rreshtohen dy beteja të jashtëzakonshme elektorale për Luginën e Preshevës: Zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe zgjedhjet e rregullta për Këshillin Kombëtar Shqiptar (KKSH). Ky përkim kohor nuk është thjesht një koincidencë kalendarike, por një thirrje për një zgjim të thellë konceptual, institucional dhe politik.

Sot, pushtetet tona lokale në Preshevë e Bujanoc, sado legjitime, gjenden nën një trysni dhe asfiksi të vazhdueshme administrative e buxhetore nga niveli qendror. Ato funksionojnë kryesisht si organe procedurale që menaxhojnë përditshmërinë teknike, pa pasur hapësirën apo instrumentet ekzekutive për të diktuar politika zhvillimore, ekonomike apo identitare. Kjo skenë na imponon një të vërtetë të mprehtë: mbrojtja dhe avancimi i interesave tona nuk mund të bëhet më përmes llogoreve të ngushta partiake apo statuseve në rrjetet sociale.
Politika virtuale duhet t’i lëshojë vendin aksionit real aty ku buron ligji dhe ku ndahet buxheti.

Platforma e Unitetit Kombëtar për Shqiptarët e Luginës si document strategjik duhet ndërtuar mbi shtylla të palëkundura diplomatike dhe kombëtare.

I. Dimensioni Republikan: Matematika e Bashkimit dhe Kushtëzimi i Ekzekutivit

Në një sistem zgjedhor ku pesha jonë specifike matet me saktësi numerike, çdo ndarje politike është një ftesë e hapur drejt vetëvrasjes kolektive. Fragmentimi i votës shqiptare në lista të shumta nuk është thjesht gabim; është rrezik real për të mbetur me zero përfaqësues. Objektivi ynë legjitim dhe plotësisht i arritshëm është sigurimi i 4 ose më shumë deputetëve në Parlament.

1. Zhdukja e Egove dhe Lista e Vetme Kombëtare

Hapi i parë është çarmatimi i egove të lidershipit lokal. Karrierat individuale ose interesat e klaneve partiake nuk mund të peshojnë kurrë më shumë se dinjiteti i popullit që përfaqësojmë. Duhet angazhohemi pa rezervë për ndërtimin e një Liste të Vetme Kombëtare Shqiptare (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë). Kjo listë duhet të hartohet mbi parimet e meritokracisë, shtrirjes proporcionale dhe kapacitetit të lartë profesional.

2. Roli i Tiranës dhe Prishtinës: Mbështetje Institucionale

Faktori ndërkombëtar dhe dy kryeqytetet tona mbajnë një përgjegjësi të jashtëzakonshme kushtetuese e kombëtare për Luginën. Mirëpo, kjo mbështetje kërkon një pjekuri të re diplomatike:

Tirana zyrtare duhet të pozicionohet si ndërmjetësja kryesore dhe garantja e kësaj marrëveshjeje uniteti. Me autoritetin e saj si vend anëtar i NATO-s dhe kandidat për në BE, ajo duhet të ushtrojë të gjithë peshën e saj diplomatike për të ruajtur stabilitetin e këtij koalicioni unik.

Prishtina zyrtare duhet të mbajë një rol rreptësisht të paanshëm, objektiv dhe realisht shtetëror. Eksperiencat e kaluara kanë treguar se favorizimi i individëve të caktuar apo rreshtimi pas preferencave të brendshme partiake të Kosovës ka mbjellë vetëm hatërmbetje dhe ndasi të thella në terren. Kosova duhet ta shohë dhe ta trajtojë Luginën si një trup të vetëm dhe të pandashëm kombëtar, jo si një shtrirje të fushatave të saj të brendshme.

3. Pjesëmarrja në Qeveri

Duhet thyer me guxim intelektual tabuja e pjesëmarrjes sonë në qeverisjen qendrore. Kjo prani nuk duhet të shihet kurrë si kompromis moral apo si mundësi për të marrë funksione, pozita dhe mëditje personale për individë të caktuar. Pjesëmarrja eventuale e shqiptarëve në sferën ekzekutive do të jetë thjesht dhe vetëm një aksion i mirëfilltë strategjik, i kushtëzuar me një Marrëveshje Koalicioni me Shkrim, e mbështetur nga Tirana zyrtare.

Vota jonë për ekzekutivin do të ketë një çmim të qartë politik:

-Politika Aktive dhe Buxhetim Kapital: Dyfishimi i fondeve direkte për PBM

-Njohja e Diplomave dhe Integrimi Institucional:
Zgjidhja përfundimtare e pengesave administrative me diplomat e lëshuara nga universitetet e Kosovës dhe punësimi i drejtë e proporcional i shqiptarëve në të gjitha strukturat shtetërore, policore e gjyqësore.

-Pasivizimi –trajtim institucional, transparence të plotë dhe vendosje të mekanizmave korrigjues efektiv, në përputhje me parimet e sigurisë juridike me qëllim adresimin e pasojave konkrete juridike, sociale dhe politike që kanë rezultuar.

Zhvillimi Ekonomik: ekspertizë e profesionistëve të fushës përkatëse

II. Dimensioni Kombëtar: Këshilli Kombëtar Shqiptar (KKSH) – Institucion pa Opozitë

Nëse Parlamenti në Beograd është platforma e mbrojtjes politike dhe ligjore, Këshilli Kombëtar Shqiptar është zemra e ruajtjes sonë identitare, arsimore dhe kulturore. Realizimi i të drejtave kolektive nuk është luks apo arenë për t’u dëfryer me debate elektorale — është një detyrim ekzistencial. Prandaj, edhe në atë institucion duhet një model të ri dhe krejtësisht inovativ të funksionimit të tij:

-Rotacioni proporcional i Kryetarit:

Për të shmangur bllokimet dhe monopolet partiake, secila listë pjesëmarrëse, konform rezultatit të pastër që do të marrë nga vota e popullit, do të ushtrojë funksionin e Kryetarit të Këshillit Kombëtar për një periudhë kohore saktësisht proporcionale me numrin e këshilltarëve që ka siguruar në Kuvend. Kjo zhduk pazaret nën tavolinë dhe vendos drejtësinë e votës.

Plani strikt 4-Vjeçar i Qeverisjes:

Përpara fillimit të mandatit, të gjitha forcat politike do të ulen dhe do të hartojnë një plan të detajuar strategjik 4-vjeçar për arsimin, tekstet shkollore, mbrojtjen e monumenteve historike dhe përdorimin zyrtar të gjuhës dhe shkrimit shqip. Çdo kryetar që merr drejtimin e institucionit, pavarësisht partisë, do të ketë detyrimin strikt t’i përmbahet këtij plani kombëtar.

Zero Opozitë, Vetëm Bashkëqeverisje Kombëtare:

Brenda mureve të KKSH-së nuk duhet të ekzistojë koncepti i opozitës. Të gjitha listat që kalojnë pragun duhet të bëhen pjesë e strukturave ekzekutive të Këshillit. Ne nuk mund të bëjmë opozitë ndaj arsimit tonë, ndaj kulturës sonë apo ndaj gjuhës sonë. Aty duhet të ketë vetëm punë unanime për avancimin e pozitës së shqiptarëve.

Të dashur miq, kjo vjeshtë nuk na lejon luksin e llogarive të vogla apo të kalkulimeve të ngushta lokale. Ne duhet të jemi plotësisht të gatshëm të marr këtë përgjegjësi të madhe.

Kuptohet, kur arrihet mirëbesimi mes palëve, pse të mos zbatohet e njejta praktikë edhe në qeverisjet lokale, duke gjetur modalitete të zbatueshme dhe korrekte pa e humbur kuptimin demokracia funksionale.

Ju ftoj të gjithëve të bashkohemi pa dallim rreth këtij projekti sigurisht me mirëkuptimin më të plotë që kjo nismë të trajtohet si imperativ I kohës e jo nismë individual e interesave të ngushta partiake apo statuseve në rrjetet sociale.

Të bëjmë së bashku që 4+ deputetë në Parlament dhe një KKSH i unifikuar të mos jenë thjesht një dëshirë, por realiteti i ri dhe i fuqishëm politik i Luginës së Preshevës!

Shkrimi pasqyron qëndrim personal politik dhe vetëm komentet dhe sugjerimet që kontribuojnë pozitivisht dhe me ide konkrete drejt kësaj nisme do të trajtohen dhe do të mbeten pjesë e këtij komunikimi.

Nga Driton Rexhepi : Kryetar i Kuvendit Komunal të Bujanocit

 

COMMENTS