HomeNë fokus

Trajnim për shpëtimin e jetës në raste emergjente: “Stop the Bleed” sjell në Bujanoc  Gardën Kombëtare të Ohajos

Një trajnim praktik dhe edukues me rëndësi të madhe për komunitetin u zhvillua të enjten në Bujanoc, nën organizimin e Gardës Kombëtare të shtetit

Pajaziti: Tallava koalicioni “gjithëshqiptarë” po largon nga puna ata që mendojnë ndryshe
Sonte në 23: 00 – Futbollisti në karantinë ( video )
Qeveria e Serbisë sjell konkluzion: Punësohen 100 mjekë të rinj

Një trajnim praktik dhe edukues me rëndësi të madhe për komunitetin u zhvillua të enjten në Bujanoc, nën organizimin e Gardës Kombëtare të shtetit amerikan të Ohajos. Trajnimi me titullin “Stop the Bleed” (Ndalo gjakderdhjen) kishte për synim të përgatisë qytetarët për të reaguar me shpejtësi dhe efikasitet në situata të rënda të gjakderdhjes, ku çdo sekondë mund të jetë vendimtare për shpëtimin e jetës.

Ligjëruese e trajnimit ishte nënkolonelja Sheli Brakmen, e cila prej vitit të kaluar shërben si oficere mjekësore ndërlidhëse në kuadër të bashkëpunimit mes Gardës Kombëtare të Ohajos dhe institucioneve në Serbi. Ajo tregoi se kjo përvojë bashkëpunimi i është bërë shumë e dashur, duke theksuar se vetëm gjatë vitit të fundit ka vizituar Serbinë shtatë herë.

“Gjithmonë më ka impresionuar ndjenja e bashkësisë, vlerat familjare dhe mikpritja e jashtëzakonshme që kam gjetur këtu. Edhe ushqimi juaj është i mrekullueshëm – buka, djathi dhe mishi janë të preferuarit e mi,” tha Brakmen me një buzëqeshje gjatë fjalës hapëse.

Ajo theksoi se qëllimi i trajnimit nuk është që vetëm personeli mjekësor të dijë si të reagojë në raste të tilla, por që njohuritë themelore për ndalimin e gjakderdhjes të përhapen edhe te qytetarët e zakonshëm.

“Kjo nuk është një trajnim vetëm për mjekë apo infermierë. Ne këtë e mësojmë edhe pastruesit në spitale, punonjësit e sigurisë dhe çdo person që potencialisht mund të ndodhet pranë një viktime. Çdokush, me mjetet që ka në dispozicion, mund të shpëtojë jetë,” theksoi ajo.

Brakmen shpjegoi se programi “Stop the Bleed” është ndërtuar duke kombinuar përvojën ushtarake me protokollet civile, në bashkëpunim me Kolegjin Amerikan të Kirurgëve, dhe se në SHBA trajnime të tilla janë tashmë pjesë e zakonshme e përgatitjeve në komunitete.

“Në të kaluarën, fokusi i parë ishte frymëmarrja, por sot e dimë se nëse një person po humbet shumë gjak dhe ne nuk e ndalim gjakderdhjen menjëherë, ai mund të humbasë jetën pavarësisht se merr frymë. Prandaj sot mësojmë që hapi i parë është të ndalojmë gjakderdhjen,” shpjegoi ajo.

Duke shtuar se lëndimet që shkaktojnë gjakderdhje mund të ndodhin në çdo vend dhe në çdo moment – në një parking, në supermarket, gjatë fatkeqësive natyrore apo aksidenteve – Brakmen tha se gatishmëria dhe reagimi i shpejtë janë thelbësorë.

Trajnimi u zhvillua në mënyrë interaktive, ku pjesëmarrësit patën mundësinë të përfshihen drejtpërdrejt, duke ushtruar teknikat e mësuara në situata të simuluara. “Duke punuar shpesh me fëmijë, e di sa e rëndësishme është që mësimi të jetë i thjeshtë, i qasshëm dhe i angazhuar për të gjithë,” u shpreh Brakmen në fund.

Ky trajnim shënon një hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit civil-ushtarak dhe në ndërtimin e një komuniteti më të sigurt dhe më të përgatitur për situata emergjente.

COMMENTS