"Pamja urbane e qytetit të Bujanocit ka nisur të marrë një frymë të re, falë një nisme të re kreative nga Zyra për të Rinj. Përmes një aksioni sim

“Pamja urbane e qytetit të Bujanocit ka nisur të marrë një frymë të re, falë një nisme të re kreative nga Zyra për të Rinj. Përmes një aksioni simbolik, por me ndikim të thellë vizual dhe shoqëror, janë vendosur murale artistike në ndërtesat përreth sheshit qendror, duke sjellë freski dhe ngjyra në zemrën e qytetit”, thekson Zyra për të Rinj.
Sipas njoftimit zyrtar, ky është vetëm hapi i parë në një proces më të gjerë transformimi estetik të qytetit, që pritet të zgjerohet edhe në pjesë të tjera të Bujanocit. Iniciativa është fryt i përkushtimit të aktivistëve të rinj të cilët, me dashuri për vendin e tyre, po dëshmojnë se ndryshimi i qëndrueshëm nis nga vetë qytetarët.
“Qyteti është i qytetarëve, jo i asnjë subjekti politik apo individi të caktuar”, thuhet në deklaratën e Zyrës për të Rinj, duke vënë theksin në nevojën për hapësira publike të lira nga ndikimet partiake dhe të shfrytëzuara për interesin e përbashkët.
“Mesazhi që përcillet është i qartë: mentaliteti se hapësirat publike i takojnë atij që i uzurpon i pari, është i tejkaluar dhe i papranueshëm për një shoqëri demokratike”.
Zyra për të Rinj thekson se përparësia e tyre është ta bëjnë qytetin më atraktiv, më dinjitoz dhe më mikpritës për të gjithë, në veçanti për të rinjtë. Kjo ide gërshetohet me aktivitete të tjera të zhvilluara përgjatë vitit, si turneu tradicional në futboll të vogël, trajnime dhe avokime për të drejtat e të rinjve.
“Nën moton #RiniaNëVeprim dhe #BujanociQytetiYnë, kjo iniciativë përfaqëson jo vetëm një transformim estetik, por edhe një mesazh të fortë për përkatësinë qytetare dhe përgjegjësinë kolektive për hapësirat e përbashkëta”, thekson Zyra për të Rinj.
COMMENTS