Ndërsa Trupi Koordinues për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë i ka kërkuar kryetarit të komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, që të shqyrtojë heqjen
Ndërsa Trupi Koordinues për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë i ka kërkuar kryetarit të komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, që të shqyrtojë heqjen e portretit të Komandant Lleshit të vendosur në sheshin qendror të qytetit, ky i fundit ka publikuar agjendën e manifestimit treditor që do të mbahet në fundjavë dhe ka ftuar qytetarët për pjesëmarrje masive.
Përmes postimit në Facebook, Pajaziti ka prezantuar programin e plotë të aktivitetit, i cili do të përfshijë vizitë në muze, homazhe, koncerte, etj.
„Ju ftojmë të bëheni pjesë e manifestimit “Ditët e Komandant Lleshit”, një homazh dinjitoz për figurën më sublime të historisë sonë më të re, Komandant Lleshin – simbol i qëndresës, i lirisë dhe i sakrificës.
Përmes vizitave, homazheve dhe koncertit përkujtimor, le të tregojmë mirënjohjen tonë të thellë dhe të ruajmë me nder kujtimin e tij“, ka theksuar Pajaziti.
Portreti i vendosur në qendër të qytetit ka nxitur reagimin e Trupit Koordinues, i cili e ka konsideruar atë si “element që nuk i kontribuon frymës së bashkëjetesës në një mjedis multietnik”.
Me tone kritike ndaj kumtesës së Trupit Kordinues janë pronocuar edhe personalitete të opozitës së Bujanocit.
Nga ana tjetër, kryetari Pajaziti nuk është prononcuar drejtpërdrejt për kërkesën e Trupit Koordinues, duke fokusuar vëmendjen në organizimin e manifestimit në fjalë.
COMMENTS