Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, ka reaguar lidhur me situatën e ndihmave humanitare të destinuara për shqiptarët e Luginës

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, ka reaguar lidhur me situatën e ndihmave humanitare të destinuara për shqiptarët e Luginës së Preshevës, duke sqaruar rrjedhën e procesit dhe arsyet që, sipas tij, çuan në moslejimin e hyrjes së donacionit.
Rexhepi ka bërë të ditur se kontakti me donatorët ishte vendosur disa muaj më parë dhe, pas koordinimeve, ishte arritur marrëveshja për dërgimin e ndihmave. Ai shpjegon se nga donacioni u hoqën pajisjet elektronike për shkak të procedurave të ndërlikuara të importit, në mënyrë që të mos pengohej pjesa tjetër e ndihmave.
Sipas tij, me rekomandimin e shoqatës donatore nga Suedia, pranues i donacionit u caktua Komuna e Preshevës, ndërsa thekson se kryetarja e komunës, Ardita Sinani, mbështeti iniciativën, por nuk kishte pasur kontakte të drejtpërdrejta me donatorët.
Rexhepi pohon se problemet nisën pasi kamioni mbërriti në Doganën e Vranjës, ku autoritetet kërkuan vazhdimisht dokumente shtesë, të cilat, sipas tij, nuk kishin lidhje me procedurën e një donacioni humanitar. Ai shton se edhe përpjekja për ta ridrejtuar ngarkesën drejt Kosovës nuk u realizua, pasi u vendosën kërkesa të reja administrative.
Sipas kryetarit të KKSH-së, autoritetet kërkuan fillimisht një deklaratë për heqje dorë nga donacioni, të cilën ai thotë se e nënshkroi, ndërsa më pas u kërkua edhe një memorandum bashkëpunimi, kërkesë që ai e cilëson pa bazë ligjore.
Në përfundim, Rexhepi vlerëson se pengesat nuk lidhen me mungesën e dokumentacionit, por përbëjnë, sipas tij, një bllokim të qëllimshëm administrativ, me synimin që ndihmat humanitare të mos mbërrinin tek shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.
COMMENTS