Pas festës së shqiptarëve në Bujanoc lidhur me fitoren e kombëtares së Shqipërisë ndaj Serbisë dhe veprimeve të policisë, e cila kishte evidentuar

Pas festës së shqiptarëve në Bujanoc lidhur me fitoren e kombëtares së Shqipërisë ndaj Serbisë dhe veprimeve të policisë, e cila kishte evidentuar veturat që bartnin flamurin kombëtar, ka reaguar Rahim Salihi, këshilltar në Kuvendin Komunal nga PVD, njëkohësisht edhe sekretar organizativ nga ky subjekt politik.
Ky është shkrimi i tij i plotë :
Shqiptarë, ç’aktivizoni sirenat e veturave!
Sepse ne nuk paskemi të drejtë t’i përdorim ato. Aq më pak kur i përdorim për të festuar.
E paskemi trazuar qytetin kur paskemi festuar fitoren e Shqipërisë! Jo sepse ne, si shqiptarë të Bujanocit, kemi festuar, por sepse kemi festuar fitoren e Shqipërisë!
Nuk e kanë te sirenat e veturave tona. E kanë te goli i shënuar në stadium.
Paskan pasur dëshirë që goli të festohet në heshtje, që fitoren ta festojmë mbyllur në muret e shtëpisë, jo edhe rrugëve të qytetit. Jo edhe në qendër të Bujanocit!
Woow! E paskemi prishur “rendin dhe qetësinë”.
Edhe atë në një qytet që asnjëherë nuk u zbulua kush i shkroi parullat për “vrasjen e shqiptarëve”, as kush dhe pse demoloi billboard-in e Komandant Lleshit.
Që për mbishkrimet e “Ratko Mladiqit”, kriminelit të dënuar të luftës, u “arrestuan” persona që nuk dinë as shkrim e as lexim. Të njëjtit u procesuan vetëm për “dëmtim të pronës publike”, por jo edhe për nxitje të urrejtjes ndëretnike!
Shqiptar, kujdes kur përdorim sirenat, sepse po e prishim rendin dhe qetësinë.
Në një qytet si Bujanoci, ku ndihmësi i kryetarit të komunës rreh brutalisht qytetarë e banorë të kësaj komune dhe nuk shkon në përgjegjësi, rendin dhe qetësinë po e prishkan sirenat tuaja!
Sepse, në Bujanocin e sotit, më shumë prishin rendin dhe qetësinë sirenat tona të festës sesa grushtet e pushtetit lokal ndaj qytetarëve të lirë të kësaj komune!
Prandaj, kujdes se si festoni kur fitojmë. Ose më mirë, le të mos fitojmë që të mos kemi arsye për të festuar. Sepse festat e shqiptarëve bëhen me daulle e sirena. E sirenat po na e prishkan rendin dhe qetësinë.
Pra në këtë qytet po tentohet të instalohet mendësia e robit, ku më lehtë falet dhuna se gëzimi.
Sepse sipas tyre dhuna “mban qetësinë”, ndërsa gëzimi shqiptar e zgjon ndërgjegjen që disa duan ta mbajnë të fjetur.
Thjeshtë po na thonë, pajtohuni me diskriminimin. Ndaloni çdo betejë për drejtësi, barazi e liri!
COMMENTS