Deklaratat e ministrit për të Drejtat e Njeriut, të Pakicave dhe Dialogun Shoqëror, Demo Berisha, gjatë vizitës së tij më 23 shtator në Bujanoc, k

Deklaratat e ministrit për të Drejtat e Njeriut, të Pakicave dhe Dialogun Shoqëror, Demo Berisha, gjatë vizitës së tij më 23 shtator në Bujanoc, kanë nxitur reagime të forta nga përfaqësuesit politikë shqiptarë në Luginë të Preshevës, të cilët i konsiderojnë ato të dëmshme dhe në funksion të strategjive politike të Beogradit.
Enkel Rexhepi: Vetëm Plani 7 Pikësh është dokument legjitim
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, i cilësoi deklaratat e Berishës si “diversion politik” dhe tentativë për të zhvendosur vëmendjen nga dështimi i Serbisë për të zbatuar obligimet e veta ndërkombëtare.
Sipas tij, Plani 7 Pikësh i miratuar nga Kuvendi i Këshilltarëve Shqiptarë në vitin 2013 dhe i aprovuar edhe nga Qeveria e Serbisë me garanci ndërkombëtare, mbetet i vetmi dokument legjitim.
“Çdo përpjekje për të imponuar ‘dokumente të reja’, si ai me 10 pika, është lojë politike dhe përpjekje për të shtyrë pafundësisht zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese,” theksoi Rexhepi, duke paralajmëruar se shqiptarët nuk duhet të bien pre e planeve të ndërtuara sipas strategjisë së partisë-shtet të Vuçiqit.
Shqiprim Musliu: Tentim për tjetërsimin e çështjes shqiptare
Kryetari i Lëvizjes për Progres Demokratik (LPD), Shqiprim Musliu, e quajti vizitën e Berishës dhe mbështetësve të tij “një hap tjetër në tentimin për tjetërsimin e çështjes shqiptare në Luginë”.
Ai tha se në një kohë kur shqiptarët përballen me diskriminim të hapur, pasivizim adresash, mospunësim dhe mosnjohje diplomash, shfaqja e “shqiptarëve pro Beogradit” është përpjekje për të dobësuar kauzën shqiptare.
“Dokumentet bazë për ne mbeten platforma politike e vitit 2006, masat urgjente të 2013-ës dhe vendimet e vitit 2015 për reciprocitet, si vazhdimësi e referendumit të vitit 1992,” u shpreh Musliu.
Partia Demokratike: Qëndrim politikisht i papërgjegjshëm
Edhe Partia Demokratike me seli në Bujanoc reagoi ashpër, duke e quajtur takimin e Berishës me kryetarin e komunës “akt politikisht të papërgjegjshëm dhe të dëmshëm për interesat e shqiptarëve”.
Në komunikatën e saj, PD thekson se çdo plan që përgatitet pa konsensus të faktorit politik shqiptar është i papranueshëm dhe përbën “tradhti politike ndaj kauzës së shqiptarëve në Luginë”.
“Dokumentet e vetme që duhen respektuar janë ato të dala nga konsensusi i plotë i partive shqiptare përmes Kuvendit të Këshilltarëve Shqiptarë. Ne nuk përkrahim asnjë iniciativë që imponohet nga Beogradi,” thuhet në reagim.
COMMENTS