HomeAktuale

Rahim Salihi kërkon largimin e SNS-së nga pushteti në Bujanoc dhe shkarkimin e drejtuesve të Trupit Koordinues (video)

Këshilltari i Kuvendit Komunal të Bujanocit nga radhët e Partisë për Veprim Demokratik (PVD), Rahim Salihi, ka reaguar ndaj vendimit të Qeverisë n

Djegia e deponisë, aroma e rëndë kaplon edhe Tërnocin
Arifi dhe Musliu për homazhe nê Prekaz
Vizitë e kryetarit të Likovës në Bujanoc

Këshilltari i Kuvendit Komunal të Bujanocit nga radhët e Partisë për Veprim Demokratik (PVD), Rahim Salihi, ka reaguar ndaj vendimit të Qeverisë në ikje të Serbisë për ndarjen e 3.4 miliardë dinarëve nga rezerva buxhetore për 74 qytete dhe komuna, nga të cilat Bujanoci dhe Presheva nuk kanë përfituar asnjë dinar.

Përmes një postimi publik, Salihi ka kritikuar ashpër Qeverinë e Serbisë, drejtuesit e Trupit Koordinues dhe përfaqësuesit e Partisë Përparimtare Serbe (SNS), e cila është pjesë e koalicionit qeverisës në Bujanoc.

Sipas tij, mospërfshirja e Bujanocit dhe Preshevës në ndarjen e mjeteve nga rezerva buxhetore dëshmon mungesën e interesimit të institucioneve qendrore për zhvillimin e komunave të Luginës së Preshevës.

“Si ka mundësi që komunat më të pazhvilluara në nivel vendi të mos marrin as edhe një dinar ndihmë nga rezerva buxhetore? A mos ndoshta arsyeja e vetme për këtë vendim të papranueshëm është fakti se janë të banuara me shqiptarë?”, ka pyetur Salihi.

Ai ka vënë në pikëpyetje edhe rolin e Trupit Koordinues për komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, duke kërkuar përgjegjësi nga drejtuesit e këtij institucioni për mungesën e mbështetjes financiare nga Qeveria e Serbisë.

Një pjesë të konsiderueshme të kritikave Salihi ia ka drejtuar SNS-së së Bujanocit, e cila, sipas tij, gëzon 40 për qind të pushtetit në nivel lokal.

“Ku është roli i SNS-së së Bujanocit, e cila gëzon 40% të pushtetit në Bujanoc? Apo ndoshta ata janë aty për të realizuar interesat e veta dhe jo për ta ndihmuar e zhvilluar Bujanocin?”, ka shkruar ai.

Salihi ka shkuar edhe më tej, duke kërkuar largimin e përfaqësuesve të SNS-së nga koalicioni qeverisës në Bujanoc, me arsyetimin se nuk kanë arritur të sigurojnë mbështetje financiare nga niveli qendror për komunën ku bashkëqeverisin.

“Nëse partia që ndan 3.4 miliardë dinarë nga rezerva buxhetore për të ndihmuar qytetet dhe komunat në Serbi nuk e sheh të arsyeshme ta përfshijë edhe Bujanocin, komunën në të cilën qeverisin dhe gëzojnë 40 për qind të pushtetit, atëherë vazhdimi i qëndrimit të tyre në qeverisje e humbet kuptimin”, ka theksuar Salihi.

Sipas tij, përfaqësuesit e SNS-së duhet të shkarkohen, të largohen nga koalicioni dhe të marrin përgjegjësi për atë që ai e cilëson si pafuqinë e tyre politike për të ndihmuar Bujanocin.

Këshilltari i PVD-së ka kërkuar gjithashtu largimin e drejtuesve të Trupit Koordinues, duke vlerësuar se ky institucion nuk po e përmbush rolin për të cilin është themeluar.

“Nuk guxon, nuk bën dhe nuk mundet të heshtë dikush që në Bujanoc flet në emër të Qeverisë, në Beograd paguhet për të zhvilluar Luginën, por në Qeveri nuk ka asnjë peshë”, ka përfunduar Salihi.

Reagimi i tij vjen pas vendimit për shpërndarjen e mjeteve nga rezerva buxhetore e Serbisë, vendim që ka nxitur diskutime për kriteret e ndarjes së fondeve dhe mungesën e mbështetjes financiare për Bujanocin dhe Preshevën.

Reagimi i Salihit, video:

https://www.facebook.com/share/v/19sSZBGZa9/

COMMENTS