Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka bërë të ditur sot një vendim të Qeverisë së Kosovës që synon mbështetjen konkrete të shqiptarë

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka bërë të ditur sot një vendim të Qeverisë së Kosovës që synon mbështetjen konkrete të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Mbi 625 mijë euro janë ndarë për të mbështetur studentët, nxënësit si dhe për avokim për të drejtat e shqiptarëve në këtë rajon, duke e cilësuar këtë si një akt jo vetëm solidariteti, por përgjegjësie institucionale.
“Gjithsej do të mbështeten 756 studentë shqiptarë që po mësojnë sot në 17 qytete – 407 në Prishtinë, 110 në Tiranë, dhjetëra në Tetovë, Shkup, Stamboll e më tej – të shpërndarë në 56 drejtime studimi, të gjithë nga Lugina e Preshevës”, shkruan Bislimi në një postim në Facebook.
Ai nënvizoi se ndihma nuk ndalet vetëm te studentët. 97 fëmijë nga Lugina, që përballen me kushte të vështira familjare, janë përfshirë tashmë në këtë mbështetje, e cila, sipas tij, “nuk është ndihmë, por përgjegjësi – si shenjë se dikush mendon dhe kujdeset për ta.”
Një pjesë e fondeve do të përdoren për lobim dhe dokumentim të shkeljeve sistematike të të drejtave të shqiptarëve në Luginë, për të cilat Qeveria e Kosovës premton që do të artikulohen me forcë në arenën ndërkombëtare.
“Ky vendim nuk është vetëm shprehje vullneti, por instrument për të qenë pranë atyre që janë sistematikisht të përjashtuar nga një tjetër shtet. Lugina e Preshevës nuk është çështje margjinale e politikës sonë – por pjesë e pandashme e vizionit tonë për drejtësi, barazi dhe përfaqësim”, theksoi zëvendëskryeministri Bislimi.
COMMENTS