DEKLARATË PUBLIKE Partia për Veprim Demokratik Pas përfundimit të procesit zgjedhor për Këshillin Kombëtar Shqiptar, përfshirë edhe përsëritje

DEKLARATË PUBLIKE
Partia për Veprim Demokratik
Pas përfundimit të procesit zgjedhor për Këshillin Kombëtar Shqiptar, përfshirë edhe përsëritjen e zgjedhjeve në vendvotimet në Breznicë dhe Samolicë, rezultati ka konfirmuar mbështetjen që qytetarët i kanë dhënë Partisë për Veprim Demokratik dhe koalicionit tonë të përbashkët.
Lista jonë, si fituese e këtyre zgjedhjeve, ka arritur të sigurojë 10 nga gjithsej 29 mandatet në Kuvendin e Këshillit Kombëtar Shqiptar. Ne e konsiderojmë këtë rezultat jo vetëm si besim elektoral, por mbi të gjitha si përgjegjësi për të kontribuar në funksionimin dhe forcimin e këtij institucioni.
Duke u nisur nga bindja se sfidat me të cilat përballen shqiptarët kërkojnë më shumë se përfaqësim individual apo partiak, PVD u ka ofruar të gjitha listave zgjedhore ndërtimin e një modeli të bashkëqeverisjes, të bazuar në përfshirje, bashkëpunim dhe ndarje të përgjegjësisë politike e institucionale.
Ne besojmë se Këshilli Kombëtar Shqiptar duhet të jetë institucion i të gjithë shqiptarëve, ndërsa përgjegjësia për funksionimin e tij duhet të ndërtohet mbi një vullnet të përbashkët politik.
Kjo kërkon unitet veprimi, institucione funksionale dhe një qasje të koordinuar, si në raport me institucionet e Republikës së Serbisë, ashtu edhe në bashkëpunimin me institucionet e Kosovës dhe partnerët ndërkombëtarë.
Për këtë arsye, ftojmë edhe njëherë të gjitha subjektet politike shqiptare që të deklarohen për ofertën e bashkëqeverisjes deri të martën, më 24 nëntor, në mënyrë që të mund të përcaktojmë hapat e mëtejmë dhe të fillojmë ndërtimin e një modeli të përbashkët të përgjegjësisë institucionale.
PVD mbetet e përkushtuar ndaj bashkëpunimit.
Megjithatë, konsiderojmë se bashkëpunimi duhet të jetë i sinqertë, konkret dhe i mbështetur në vullnetin për të ndërtuar një përfaqësim më të fuqishëm dhe më efektiv të interesave të shqiptarëve.
Në fund, faleminderojmë çdo qytetarë të Luginës për mbështetjen, besimin dhe përkrahjen që i kanë dhënë listës tonë. Në të njejtën kohë, urojmë edhe listat tjera pjesmarrëse në këto zgjedhje për rezultatin e arritur.
COMMENTS